Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur për ecurinë e punimeve për Teatrin e Ri Kombëtar, duke deklaruar se po bëhen përpjekjet maksimale që godina të përfundojë sa më shpejt.
Gonxhja tha në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN se bëhet fjalë për një investim kompleks, i cili ka hasur disa ndalesa gjatë punimeve. Sipas tij, gjatë gërmimeve për pjesën nëntokësore janë konstatuar ndryshime në themele, si dhe tunele nën zonën ku po ndërtohet godina.
Ministri bëri të ditur se kontrata bazë, e cila përfshin punimet për infrastrukturën, mund të kërkojë edhe një vit për t’u përfunduar.
“Investimi për godinën e re një herë në jetë bëhet. Është nga ato investime që janë shumë komplekse, ka patur dy tre ndalime gjatë rrugës, sepse ka pasur në themele, në gërmimet e pjesës nëntokësore, disa ndryshime, dhe ndodhin në projekte kaq komplekse. Ka pasur një ndryshim në studimin e asaj zone, atij blloku, dhe nga pikëpamja ligjore, ndërtimore, e infrastrukturës, disa tuneleve të gjetura poshtë…Ju siguroj që Teatri Kombëtar në vendin ku ka qenë Teatri i vjetër Kombëtar është nga ato vepra…Po bëhet maksimumi që të kemi sa më shpejt një Teatër Kombëtar në një godinë të re. Teatri Kombëtar mund të dojë edhe 1 vit që të mbarojë kontrata bazë me punimet për infrastrukturën”, tha Gonxhja. (A2 Televizion)