Kush është më afër pushtetit në Kosovë? Çejku: Një marrëveshje VV-PDK do tejkalonte krizën

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2020, 15:09 | Aktualitet

Kosova është në prag të zgjedhjeve të parakohshme, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshme votën pro qeverisë Hoti të deputetit Etem Arifi. Dinamikat e mundshme duken ende të mjegullta, por ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, shpreson se zgjedhjet e ardhshme do të prodhojnë një rregull afatgjatë. “Kosova është e suksesshme deri në shpalljen e rezultateve, por më pas kemi një zgjatim të krizës politike për ndarjen e posteve dhe krijimin e aleancave”, thotë Çejku për A2. Sipas tij, “Gjykata Kushtetuese duhet të kishte vepruar më shpejt, sepse nuk ka ndonjë ngarkesë të madhe, nuk po them se ka prapavijë politike, sepse është gjykatë që njihet si e paanshme, dhe ka rrëzuar dy presidentë deri më tani, por e vërteta është se ekzistonte edhe një mundësi tjetër që koalicioni të zgjerohej dhe të mbante qeverinë të gjallë deri në pranverë”. Situata në Kosovë është problematike në vetvete. “Duhet të ishte zgjedhur më parë presidenti, problemet janë të shumta, do të duhej më pjekuri. Situata me COVID, disa nga liderët në Hagë, papunësia, korrupsioni, qeveria aktuale sikur pranoi një kompromis të tillë, duke i lë pataten e nxehtë palës tjetër”, vëren ish-ambasadori. Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin për një luftë të tillë politike, duhet një pajtim më i gjerë të spektrit politik. “Për herë të parë partitë politike do të duhet të tejkalojnë numrat për të qeverisur pa patur nevojë për pakicat serbe, duke parë interesin afatgjatë të vendit. Besoj se një koalicion i VV me PDK dhe parti të vogla do të krijonte një bashkim forcash që mund të tejkalonte këtë krizë, aq më shumë që PDK është në një proces purifikimi të historisë së saj”, thotë ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos