Berisha thirrje opozitës për bashkim: Diktatura nuk largohet me votë. Sistem i ri zgjedhor dhe qeveri kujdestare

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2026, 11:05 | Politikë

Berisha thirrje opozitës për bashkim: Diktatura nuk largohet me

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve opozitarë të bashkohen për të hartuar një kuadër të përbashkët ligjor që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në një deklaratë për mediat, pas daljes nga SPAK, Berisha u shpreh se nuk ka pritshmëri që kryeministri Edi Rama të pranojë ndryshime në reformën zgjedhore pasi mund të cenojnë pushtetin e tij, por theksoi se opozita duhet të paraqesë një alternativë të përbashkët përpara qytetarëve.

Sipas tij disa nga çështjet ku duhet të ketë dakordësi mes forcave opozitare janë listat e hapura, një prag zgjedhor të pranueshëm, garantimin e koalicioneve dhe masa më të rrepta ligjore për shkeljet dhe krimet zgjedhore. Ai kërkoi gjithashtu që ky kuadër ligjor të mundësojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira në rastin e një qeverie teknike apo kujdestare.

“Ai është i aftë dhe i gatshëm të bëjë gjithçka mbasi e di që e pret burgu, burgu dhe vetëm burgu. Nuk ka! Për lëkurën e tij, ai është i aftë të bëjë gjithçka. Por ne jemi një forcë politike që po luftojmë me të gjitha mjetet dhe luftuam në kushtet më të pabarabarta të njohura ndonjëherë. Jemi dakord?  U bë gjithçka që në këtë narko-diktaturë të mos kishte opozitë.  U bë gjithçka të shuhej opozita.  Por opozita qëndroi e pamposhtur ndaj të gjitha presioneve kriminale ndaj saj. Dhe qëndron e vendosur të shfrytëzojë çdo hapësirë në luftën kundër saj. Në këtë kuadër, meqë e shtrove këtë problem, ne ftojmë dhe njëherë të gjitha forcat politike që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, ftojmë të gjithë faktorët të bashkohemi për të paraqitur së bashku një kuadër ligjor demokratik, një kuadër ligjor i cili në rast të një qeverie teknike apo qeverie kujdestare, u jep mundësi shqiptarëve të votojnë të lirë. Barazon vlerën e votës së tyre. U jep mundësi të zgjedhin më të mirët që ata mendojnë.  Pra, ne nuk kemi asnjë iluzion, asnjë dyshim se Edi Rama nuk do të lëshojë asgjë në reformën zgjedhore që kërcënon pushtetin e tij. Por kjo nuk do të thotë që ne të mos bëjmë para qytetarëve, të cilët duan të dinë, duan të na shohin se ne jemi të bashkuar për listat e hapura.  Listat e hapura janë një përgjegjësi për të gjithë para të gjithë qytetarëve.  Se ne jemi të bashkuar për një prag zgjedhor të pranueshëm nga të gjitha palët.  Se ne jemi të bashkuar për garantimin e koalicioneve, sepse është një standard demokratik. Se ne jemi të bashkuar për masat më të rrepta ligjore për shkelësit e ligjit dhe krimit elektoral. Këtë presin shqiptarët nga opozitarët. Natyrisht, diktatura me vota nuk ikën. Ata të cilët besojnë se diktatura mund të largohet me vota, ata mashtrojnë veten dhe mashtrojnë të tjerët. Janë mënyra të tjera që rrëzojnë diktaturat, por ajo kohë po afron dhe ju garantoj se Edi Rama kohërat i ka të shkurtuara”, tha Berisha.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos