
Samiti i liderëve të BE, në 24 dhe 25 qershor, mund të jetë i fundit për kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila nuk do të rikandidojë në zgjedhjet federale të shtatorit. Në më shumë se 15 vite në krye të ekonomisë më të madhe të bllokut ajo është ulur në tryezën e negociatave me 4 presidentë francezë, 5 kryeministra britanikë dhe 8 italianë.
Hera e parë ishte në dhjetor të 2005-s,kur bashkë me liderët e Francës dhe Britanisë së madhe, Jacques Chirac dhe Tony Blair, u mbyllën në negociata intensive për buxhetin e BE dhe pozicionin e Britanisë në një union më të zgjeruar… Që atëherë spikati me qasjen pragmatike.
Një praktikuese e talentuar e asaj që analistja Sophie Pornschlegel, e quan diplomacia e korridorit, Merkel është treguar tejet e aftë në gjetjen e kompromiseve vitale, të cilat kanë siguruar mbështetjen unanime të liderëve të BE.
“Mendoj se ajo që do t’i mungojë më shumë Europës është eksperienca e pamasë e kancelares, në 15 vitet e fundit. Ka qenë në të gjitha takimet e Këshillit Europian, dhe ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në negocim dhe të qenit udhëheqëse. Ajo është shumë e famshme për aftësitë në menaxhimin e krizave, kështu mendoj se mungesa e saj do të ndihet”, thotë Pornschlegel. Mes krizave që lidhen më së shumti me kancelaren, është politika e saj dyerve të hapura në kulmin e fluksit të emigrantëve në vitin 2015, kur pavarësisht rregullave të Dublinit, hapi kufijtë për azilkërkuesit nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Ndërsa Hungaria ngrinte kufijtë në anën tjetër të kontinentit, Merkel bënte thirrje për unitet, me shprehjen e saj të famshme, “Wir schaffen das” – “Ne mund ta bëjmë”.
Mbështetëse e zgjerimit te bllokut, Merkel është një prej zërave më të fortë pro integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht se e pati të vështirë të përmbushë këtë mision në 15 vitet e mandatit të saj, angazhimi i Merkel në përkrahje të Ballkanit Perëndimor do të jetë një tjetër element që do t’i mungojë politikës europiane. (A2 Televizion)