Kobe Bryant nuk jeton më. 26 janari i vitit 2020 ishte një datë e trishtë. Tragjedia tronditi botën e basketbollit dhe të sportit. 41-vjeçari, i cilësuar si një prej më të mëdhenjve në historinë e NBA, humbi jetën pas një aksidenti ajror në Kaliforni.
Bryant ishte në bordin e helikopterit të tij privat. Aksidenti shkaktoi nëntë viktima, mes të cilëve edhe vajza 13-vjeçare e ish-yllit të Los Angeles Lakers, Gianna, dhe trajneri i bejzbollit John Altobelli me bashkëshorten dhe vajzën. Helikopteri ishte nisur drejt Akademisë Mamba, e krijuar nga Bryant. Aty luante vogëlushja Gianna Maria, vajza e dytë e Kobe, që shihej si një prej premtimeve të mëdha të basketbollit të femrave.
Shkak i aksidentit ishte mjegulla e dendur, ndërsa përplasja është ndikuar edhe nga një detaj i rëndësishëm teknik. Helikopteri i Kobe Bryant nuk kishte instrumentin për të sinjalizuar pilotin për rrezikun e përplasjes me terrenin. Për një kleçkë ligjore, pajisja për këtë rast nuk është më e detyrueshme të përdoret në mjetet fluturuese në Shtetet e Bashkuara.
Në komunikimin e fundit ndërmjet pilotit dhe kullës së kontrollit u zbulua se operatorët e paralajmëruan për rrezikun se helikopteri po fluturonte në kuotë të ulët. Piloti provoi të ngjitej në kuotën e 700 metrave lartësi, aty ku ndodhi edhe përplasja fatale.
Ngjarja i mori jetën një prej yjeve më të mëdhenj të historisë së basketbollit. Dominues në vitet kur luante në parket. Ishte padyshim më i miri i dekadës së tij. Një Michael Jordan i ri në panteonin e basketbollit. Talenti i rallë, por jo vetëm aq. Kërkonte gjithçka nga vetja dhe nga shokët, sepse jepte gjithçka. Punonte deri në fiksim në palestër dhe i kushtonte vëmendje çdo detaji taktik të rivalëve.
I aftë që të vendoste fatin e të gjithë sezonit në një goditje të vetme. I veçantë edhe për lidhjen e fortë me skuadrën e Lakers. Një karrierë e kaluar vetëm në Los Angeles: 20 vjet në momente të mira dhe më pak të mira, duke u identifikuar si një prej simboleve të ekipit. Diçka tejet e rallë në sportin modern.
U tërhoq nga sporti në vitin 2016 me një letër emocionuese, e cila u shndërrua në film. “I dashur basketboll”, shkruajtur nga vetë legjenda e basketbollit, në rolin edhe të narratorit. Fitues në Academy Awards për “Filmat e Animuar me metrazh të shkurtër”, duke e bërë Kobe Bryant sportistin e parë profesionist që fiton edhe çmimin Oscar.
“I dashur Basketboll. Prej momentit kur krijoja topa me çorapet e babit dhe imagjinoja goditje vendimtare për fitoren në Forumin e Madh të Perëndimit, një gjë e kisha të qartë: isha dashuruar me ty. Një dashuri aq e madhe, sa të dhashë gjithçka nga vetja. Nga mendja, trupi, shpirti dhe ekzistenca ime. Në rolin e një fëmije 6 vjeç të dashuruar, kurrë nuk e kam parë dritën në fund të tunelit. E shihja veten thjesht duke dalë prej aty me vrap. Kështu kam vrapuar. Lart e poshtë në çdo fushë, duke ndjekur për ty çdo top. Më kërkove sforcon maksimale, të dhashë zemrën time. Kam luajtur kur isha i sfilitur dhe mes dhimbjes, jo sepse më thërrisnin sfidat, por sepse TI më thërrisje. Për TY kam bërë gjithçka, sepse kështu veprojnë njerëzit kur dikush i bën të ndihen ashtu si më bëjë ti të ndihesha. I dhurove një fëmije 6-vjeçar ëndrrën që të ishte lojtar i Lakers, për këtë do të të dua gjithmonë. Por, nuk mund të të dua edhe për shumë kohë, deri në fiksim. Ky sezon është gjithçka që më mbetet të jap. Zemra mund ta mbajë peshën, gjithashtu edhe mendja, por trupi im e di që ka ardhur momenti të përshëndetemi. Megjithatë, nuk ka problem. Jam gati të të lejoj të largohesh. Dua ta dish, në mënyrë që të shijojmë sa më mirë çdo moment që na mbetet së bashku. Të shijojmë gjëra të bukura dhe ato më pak të bukura. I kemi dhënë njëri-tjetrit çdo gjë nga vetja. Të dy e dime se çfarëdo që do të bëj, do të jem gjithmonë ai fëmija me çorape, me koshin e plehrave në cep, me topin në dorë dhe 5 sekonda të mbetura në kronometër. 5… 4… 3… 2… 1. Do të dua gjithmonë, Kobe”.
Me largimin e Kobe Bryant nisi edhe rënia e Lakers. Pesë titujt kampionë të fituar në NBA tregojnë shumë, por jo gjithçka nga karriera e tij e shkëlqyer. Tre kampionate të fituar me radhë në vitet 2000, 2001 dhe 2002, me një partner si Shaquille O’Neal. Black Mamba i vendosi kusht drejtuesve që të largonin gjigandin e sulmit, pasi besonte se mund të fitonte edhe i vetëm.
Sërish ia doli, me dy tituj në edicionet 2009 dhe 2010. Një trofe si Lojtari më i Mirë dhe i përzgjedhur 18 herë në Ndeshjen e Yjeve. I suksesshëm edhe me kombëtaren amerikane, fitues i dy medaljeve të arta olimpike në Pekin 2008 dhe Londër 2016.
Një idhull jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë botën. “Do të provoj të shkoj në Hënë. Nëse bie në greminë, ashtu qoftë”. Një leksion, i cili vlen po aq shumë sa trashëgimia që Kobe Bryant i la basketbollit. Nuk ishte thjesht një moto, por një projekt jete: të rritesh, të përmirësohesh, të rrezikosh...
Kobe Bryant ishte njeriu që shërbeu si frymëzim për disa breza, bëri njerëzit të dashuroheshin me basketbollin dhe të konkurronin në maksimumin e potencialit të tyre. Një legjendë e përjetshme. (A2 Televizion)