
Majlind Lazimi, ekspert ekonomie, parashikoi situatë të vështirë ekonomike për vendin tonë në 6 muajt e parë të këtij viti.
I ftuar në “A2 Business”, Lazimi u shpreh: “Ende është herët për të thënë se kemi dalë nga kriza e shkaktuar nga pandemia. Jemi në valën e dytë të pandemisë nga ana shëndetësore, ndërsa efekti ekonomik vjen me vonesë. Deri në 6-mujorin e parë të këtij viti do të kemi situatë të vështirë ekonomike, por duket se qeveria ka panoramë më optimiste sesa realiteti. Duhet të kishim paketë emergjence për biznesin e vogël. Do të duhet edhe që fondet për investimet publike të rialokohen”.
Por, sipas Senida Mesit, deputete e Partisë Socialiste, qeveria është treguar realiste në parashikimet e saj për ekonominë: “Jemi realistë, duke u bazuar në shifra dhe statistika. Parashikimet për këtë vit kanë pasur disa parakushte dhe parakushti kryesor ishte që të mos kishim mbyllje totale, si vitin e kaluar. Në kushtet e sotshme, duhet të mendojmë përpara shëndetin, pastaj ekonominë, por po përpiqemi të balancojmë ekonominë dhe shëndetin”.
Ndërsa, Albert Gajo, ekspert ekonomie, theksoi se ekonomia jonë do të ndikohet patjetër nga masat shtrënguese që po marrin vendet e tjera: “Ne jemi në mesin e krizës tani, e kemi të qartë këtë. Jemi në një valë që mund të zgjasë edhe 6 muaj dhe parashikimet optimiste nuk dalin. Sa kohë që të gjitha vendet po marrin masa edhe më shtrënguese sesa Shqipëria, ekonomia jonë do të ndikohet. Qeveria duhet të kishte nxjerrë mësime nga një vit pandemi”. (A2 Televizion)