
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk tërhiqet nga oferta e fundit, e paraqitur ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion për bashkëqeverisje.
Ky është rezultati i mbledhjes së Kryesisë në partinë e drejtuar nga Isa Mustafa, në të cilën u diskutua edhe për afatin që ka Albin Kurti si i mandatuar për formimin e qeverisë së re.
LDK i bën thirrje Vetëvendosjes që të reflektojë, ndërsa shpreh gatishmërinë për të finalizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje.
“Marrëveshja duhet të vendosë në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve, në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre, neve me 28 dhe VV-së me 29 deputetë. Kemi dhënë një propozim që mendojmë se është i balancuar dhe VV-ja ta duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë”, u shpreh Mustafa.
Gjithashtu Isa Mustafa vendosi dhe një ultimatum ndaj Vetëvendosjes së drejtuar nga Albin Kurti.
“Të ulemi dhe të bisedojmë dhe ato të kenë një përfundim sa më të shpejtë, deri në fund të kësaj jave. Ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte të bëhet. Marrëveshja që është në dobi të qytetarëve dhe vlerëson peshën politike”, shtoi kreu i LDK.
Prej muajsh, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit dhe LDK, si forcë e dytë, po negociojnë për të formuar një koalicion qeverisës, por akoma nuk kanë arritur në një dakordësi finale dhe shkak për këtë duket se është bërë ndarja e posteve ministrore dhe kryesisht posti i presidentit. (A2 Televizion)