Legalizimi i kanabisit në Shqipëri, përfitimet dhe rreziqet

Nga A2 CNN
16 Maj 2020, 14:40 | Aktualitet

Kur në vitin 2014, Koço Kokëdhima hodhi idenë e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore, krijoi një diskutim që qëndroi gjatë. Edhe pse prej 1 viti, në heshtje, qeveria po përgatit ligjin që lejon kultivimin e kanabisit për qëllime medicinale, në atë kohë e tha qartazi jo-në, ndaj propozimit të deputetit të “fuqishëm” të jugut.

Dhe ajo erdhi nëpërmjet ministrit të brendshëm dhe “kampionit” të kohës, Saimir Tahirit. E kundërta ndodhi. Edhe i palegalizuar, kanabisi lulëzoi në të gjithë vendin duke arritur kulmin në vitin 2016. Shqipëria u bë lajmi i mediave ndërkombëtare dhe zuri vend në hartën e narkotikëve.

Ambicien për të shfarosur fenomenin, që e kishte kthyer Shqipërinë në shqetësimin e autoriteteve ndërkombëtare për vitet në vijim, nuk e fshehën as pasardhësit e Tahirit, tashmë i vënë nën hetim pikërisht për favorizimin e trafikantëve të narkotikëve.

Por çfarë ndryshoi? Pse pas këtij historiku problematik qeveria shqiptare mendon të legalizojë kultivimin e hashashit, megjithëse për qëllime mjekësore. Përgjigjen e dha vetë kryeministri Rama, duke këmbëngulur se situata tashmë është vënë nën kontroll. “Besoj se brenda këtij sesioni kemi për ta kaluar”, deklaroi kryeministri më 12 maj.

Por gjatë vitit 2019, në prokuroritë e rretheve janë regjistruar 2,96% më shumë procedime penale për narkotikët se një vit më parë. Madje sipas kryeprokurorit Olsian Çelaj, ishin 4 qarqet më problematike ku u vu re rritje e prodhimit të kanabisit.

Por cili është përfitimi i kësaj nisme për vendin? A ndikon ajo pozitivisht apo negativisht në ekonomi? Ekspertët e këtij sektori janë të ndarë. Disa mendojnë se sjell shumë të ardhura ka shumë ofertë, të tjerë që sjell më shumë dëme se  përfitime. Eduart Sharka, kryetar i sindikatës “Fermerët e bashkuar” ngre një tjetër problem. Sipas tij, me kalimin e kësaj nisme, do të kishim kriminalizm të ekonomisë bujqësore dhe do zhdukeshin prodhimet e tjera. Pa shumë surpriza , opozita i doli menjëherë kundër. Madje eksponentë të saj, përmendin mafien e huaj që po përdor atë vendase  dhe politikën.

Në vitin 2016, Maqedonia e Veriut i dha dritën jeshile prodhimit të kanabisit mjekësor, duke u kthyer në vendin e parë në rajon që mori një vendim të tillë. Parashikimet ishin deri në 100 milionë euro në vit për arkën e shtetit. Por në realitet nuk ndodhi ashtu, prodhuesit hasën me humbje, çka i detyroi të kërkojnë ndryshimin e ligjit. Gjë që nuk ndodhi kurrë si pasojë e krizës politike.

Po Shqipëria a ia vlen të rrezikojë? A mundet të dalë situata jashtë kontrolli dhe të kthehemi sërish në delen e zezë të Europës për kultivim dhe trafik narkotikësh?

Paratë e drogës sipas opozitës kanë blerë 3 zgjedhjet e fundit. Edhe pse u hapën dosje të bujshme me emra politikanësh për këtë çështje, asnjë prej tyre nuk u përball kurrë me këtë akuzë. Megjithatë zgjedhjet e vitin 2021 po afrojnë.

Nisma sipas kryeministrit është konsultuar me ekspertë të nivelit të lartë, vendas dhe ndërkombëtarë. Janë jo pak shtetet në botë që kanë ngritur industri të fuqishme mbi kanabisin mjekësor. Për një qeveri në vitin e saj të shtatë, që duhet të përballet me problemet e shkaktuara në ekonomi si nga tërmeti ashtu dhe nga epidemia, legalizimi i kanabisit mund të sjellë një frymëmarrje në financa, por a mund të shërbejë edhe si një shashkë që largon vëmendjen nga konsumi dhe problemet e qeverisjes? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos