Teatri Kombëtar, KLSH i kërkon bashkisë të pezullojë vendimin e shembjes së godinës

Nga A2 CNN
16 Maj 2020, 14:18 | Aktualitet
Teatri Kombëtar, KLSH i kërkon bashkisë të pezullojë

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar një rekomandim zyrtar Kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës për të pezulluar planet për prishjen e Teatrit Kombëtar. Përmes një vendimi që mban datën 14 maj, kryetari i KLSH Bujar Leskaj, argumenton se për të shmangur një dëm ekonomik të mundshëm për xhepat e taksapaguesve shqiptarë, duhet të shtyhen planet për teatrin deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje.

Sipas KLSH, Presidenti i Republikës ka bërë një ankimim për shfuqizimin e vendimit të qeverisë që kalon truallin dhe godinën e teatrit në pronësi të Bashkisë. Institucioni kushtetues niset për këtë reagim edhe nga gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe debati publik mbi këtë temë, teksa rikujton se pasojat e veprimeve të zyrtarëve, në rast se do të konsiderohen të kundërligjshme nga Gjykata Kushtetuese, do të llogariten si dëm me pasoja të rënda ekonomike dhe do të kërkohet dëmshpërblimi përkatës dhe do të ndiqen procedurat për përgjegjësit.

Vendimi i KLSH, megjithatë mbetet në formën e rekomandimit, por historiku i rasteve të ngjashme kur kërkohet shprehja e Kushtetueses, tregon se në të shkuarën ka pasur pezullim të planeve për vepra publike dhe private. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos