
Monika Kryemadhi, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e kaloi natën te sheshi i Teatrit Kombëtar.
Rezistenca nuk do te ndalet, tha ajo, ndërsa i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë me shpejtësi.
“Ashtu siç ndenjën qytetarët e Tiranës dhe artistët syhapur në këto dy net, duke i zgjatur jetën këtij teatri edhe dy net të tjera më shumë përballë vendimit të paligjshëm të një grupi kriminal, edhe SPAK edhe drejtësia të mbajë sytë hapur dhe të vrapojë sa më shpejt për të zbardhur dhe për të vendosur përpara drejtësisë ata njerëz që, nëpërmjet shkeljes së ligjit dhe falsifikimit, deformimit, demanipulimit të opinionit publik të dalin përpara drejtësisë dhe të çlirohemi njëherë e mirë. Të zgjidhet ky ngërç që e ka krijuar Edi Rama me grupet e tij kriminale dhe për lejuar qytetarët e Tiranës dhe të gjithë shqiptarët që të vazhdojnë jetën e qetë në mënyrë të tillë për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare, sepse pandemia, kriza ekonomike që ka krijuar Edi Rama në vend, e ka rrënuar ekonominë e shqiptarëve.
Ata e ndjejnë varfërinë në tryezat e tyre më shumë, në familjet e tyre, në xhepat e tyre, sepse mjafton të merremi me studentët që vijnë nga rrethet, paratë që ata kanë humbur në shtëpitë e tyre me qira, paratë që duhet të paguajnë për vitet shkollore janë dëme shumë të mëdha në xhepat e familjeve të tyre, në xhepat e studentëve. Mos të harrojmë që janë më shumë se 20 mijë studentë që e kanë një lloj kostoje të tillë. Ata studentë që kanë këto probleme, artistët që qëndrojnë këtu, bizneset që kanë mbyllur aktivitetin, qytetarë që kanë humbur vendin e tyre të punës”, u shpreh Kryemadhi. (A2 Televizion)