
Lideri i opozitës në Rusi, Alexei Navalny, u shpall fajtor për akuzën e mashtrimit nga një gjykatë në Moskë.
Avokatët dhe mbështetësit e tij e konsiderojnë këtë një proces të fabrikuar nga Kremlini. Navalny u burgos pas kthimit në Rusi vitin e kaluar, pasi i mbijetoi një helmimi me agjent nervor Novichok. Lideri i opozitës u dënua më herët me 3 vite e gjysmë burg për shkelje të lirimit me kusht, teksa ishte në spital.
Prokurorët tani, kërkojnë që ai të vuajë dhe 13 vite të tjera heqje lirie me akuzën e mashtrimit dhe shpërfillje të gjykatës. Ata e akuzojnë Navalny-n për vjedhjen e 4.7 milionë dollarëve donacione që i janë dhënë organizatës politike të tij, të shpallur ekstremiste nga autoritetet ruse.
Pavarësisht se ndodhet në burg, zëri i opozitarit nuk është heshtur dhe shpesh ka bërë thirrje për protesta masive për të kundërshtuar luftën në Ukrainë. (A2 Televizion)