
Përfshirja e kryeministrit Edi Rama në çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, i ka dhënë një goditje shumë të madhe në karrierën politike. Këtë mendim ndanë në studion e Debatit në A2 CNN analistët Afrim Krasniqi, Ben Andoni dhe producenti i A2 CNN Indrit Maraku.
Për Krasniqin, Rama nuk shqetësohet për kritikat në Shqipëri, por ka humbur besueshmërinë e kancelarive kryesore ndërkombëtare dhe partnerëve.
“Është një rast tipik abuziv me detyrën. Kryeministrin nuk e shqetëson raporti me median shqiptare as presioni në parlament. Ai është komod sa kohe kemi opozitë të dobët dhe i kanë bërë vetë këto gjëra. Rama mandatin e tretë nuk e ka për Shqipërinë, por për të shijuar pushtetin ai shndërrohet në aktor lokal e global dhe jep leksione për BE, për zgjedhjet në Francë, Greqi e Gjermani. Mundohet që një njeri i periferisë të hyjë në politikën e madhe. Kjo që ndodhi është goditja më e madhe që mori në karrierën e tij politike. Kritikat tona nuk e shqetësojnë, por ai ka humbur besueshmërinë për kancelaritë kryesore ndërkombëtare, ndërsa më parë ka përdorur afganët për dy vizita në SHBA, apo çështjen e hebrenjve apo Iranit. Ai ka humbur besimin e partnerëve dhe prandaj është i mërzitur. E folura anglisht e ka dëmtuar më tepër dhe shqiptarët i konsideron numra për të qëndruar në pushtet”.
Andoni ngre dyshime edh për dëshminë e Agron Nezës të përfshirë në dosjen e zyrtarit të FBI. Sipas tij mbrojtja e menjëhershme ndaj autoriteteve shqiptare tregon se gjërat kanë qenë të kalkuluara më parë.
“Një dëshmitar i tillë (Agron Neza) e bën dëshminë kaq të kujdesshme për ta ruajtur autoritetin shqiptar, tregon që gjërat kanë qenë të kalkuluara më parë. Nga momenti që doli në mbrojtje duket që palët i kanë të kalkuluara të gjitha qëndrimet që në fillim. Përballja e autoriteteve amerikane në disa raste ka qenë e dyshimtë me Shqipërinë. Pa hedhur vellon e konsiparacionit më ka shqetësuar fakti që çdo zyrtar amerikane mjafton të takohet me një kryeministër apo zyrtar shqiptar dhe nga autoritetet shqiptare thuhet; miku im. E kishte zakon Berisha, e ka zakon Rama. Mik nuk bëhesh me dy herë takime por duhen vite e prova. Rama ka marrë goditje shumë të madhe. Duhet të jemi të kujdesshëm edhe me qasjen shumë idilike që kemi për SHBA”.
Maraku ngre disa pikëpyetje mbi takimet e Ramës me zyrtarin amerikan: Zyrtari i FBI në çfarë funksioni i ka zhvilluar takimet si privat apo në rolin e tij si një nga njerëzit më të lartë të zyrës së FBI në Nju Jork? Kjo është një nga pyetjet që Rama do të duhej t’u ishte përgjigjur në parlament. Pse ky zyrtar nuk i bën të ditura këto takime dhe këtu lind pyetja çfarë kishte që duhet ta mbante të fshehur takimin me kryeministrin? (A2 Televizion)