Grupi Parlamentar i PD-së nis procedurën për shkarkimin e Lindita Nikollës

Nga A2 CNN
26 Janar 2023, 13:46 | Politikë
Grupi Parlamentar i PD-së nis procedurën për shkarkimin e Lindita

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka nisur procedurën për shkarkimin e kryeparlamentares Lindita Nikolla.

Lidhjet e Ramës me ish-zyrtarin e FBI-së: Berisha bllokon foltoren, Nikolla e përjashton nga Kuvendi

Në një njoftim për mediat, Grupi i PD-së njofton se procedura është nisur “për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores.”

Ajo pjesë e Partisë Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj i cili kryeson edhe Grupin Parlamentar, akuzon kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla se ka mbyllur ditën e sotme seancën plenare për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama.

Sipas këtij grupimi të PD-së, kryetarja e Kuvendit u “mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës.”

Sipas Rregullores së Kuvendit, kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë i paraqitet Kryetarit të Kuvendit me shkrim me motivet dhe shkaqet e parashikuara në Kushtetutë dhe nga jo më pak se 28 deputetë.

Në rastin konkret, kërkesa për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit shqyrtohet nga Këshilli për Legjislacionin, i cili paraqet raportin përkatës në seancë plenare. Në rast se kërkohet, Këshilli për Legjislacionin dhe Kuvendi në seancë plenare janë të detyruar të dëgjojnë Kryetarin e Kuvendit.

Në këtë rast seanca plenare drejtohet nga Zëvendëskryetari që i përket shumicës parlamentare.

Sot Edi Rama, i kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një angjent të FBI të lidhur me Rusinë, jo vetëm iu fsheh Kuvendit, por detyroi Lindita Nikollën të mbyllë Parlamentin.

Veprimi i sotëm i Kryetarës së Kuvendit, është akt i paprecedent në 32 vjet demokraci. Në shkelje flagrante të Rregullores, Kryetarja e Kuvendit i mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës, duke përdhosur parlamentarizmin dhe duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit.

Ndërsa drejtësia amerikani asgjesoi politikisht Edi Ramën, duke faktuar para botës mbarë, lidhjen e tij korruptive me një zyrtar të FBI-së, të lidhur me Rusinë, Kryetarja e Kuvendit asgjësoi Parlamentin për llogari të Edi Ramës.

Gjithashtu, nga sot Parlamenti i Shqipërisë ka humbur mundësinë për të funksionuar në mënyrë demokratike dhe përgjegjës për këtë janë vetëm Edi Rama dhe Lindita Nikolla.

Për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla. (A2 Televizion)

Njoftim i grupit të PD-së

A2 CNN Livestream

Latest Videos