
Edi Rama nuk u paraqit fare në Parlament, por demokratët për 45 minuta kërkuan të gjithë prezencën e kryeministrit në seancë, për të dhënë llogari në lidhje me përfshirjen e tij në çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, tashmë të arrestuar.
Opozita kërkoi dhe ndryshimin e rendit të ditës për të përfshirë në seancë një mocion me debat mbi këtë çështje, por mazhoranca refuzoi.
As bllokimi i foltores nuk i bindi socialistët të ndryshojnë rendin e ditës, ndërsa kartonat e ngritur shfaqën demokratët të bashkuar në qëndrim.
Kryeparlamentarja Nikolla përjashtoi Sali Berishën nga seanca pas refuzimit për zhbllokuar foltoren.
Situata e krijuar detyroi mazhorancën të kalojë direkt në votim të rendit të ditës duke shmangur diskutimet, me qëllimin për të mbyllur sa më shpejt seancën.
Në pamundësi për të diskutuar në sallën e Parlamentit, opozita doli në oborr, ku Sali Berisha paralajmëroi protesta.
Refuzimin me karton për të diskutuar mbi lidhjet e Ramës me zyrtarin e arrestuar të FBI, socialisti Taulant Balla u mundua ta justifikojë me çështje procedurash.
Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi dha më shumë detaje rreth lidhjeve familjare me politikanët të Dorian Duçkës, ish-zëvendësministër i qeverisë Rama-Meta dhe ish-këshilltarit pa pagesë të kryeministrit, që përmendet në akt-akuzën e drejtësisë amerikane.
Demokratët e grupimit Alibeaj njoftuan se do të nisin procedurën për shkarkimin e kryeparlamentares Nikolla, për shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit duke mos lejuar diskutimet parlamentare. (A2 Televizion)