Demonstruesit në Izrael kanë dalë në rrugë pas miratimit nga Parlamenti të pikës vendimtare të reformës së diskutueshme në drejtësi, që kufizon fuqinë e Gjykatës së Lartë për të kthyer vendimet e qeverisë të cilat konsiderohen të paarsyeshme.
Protestat janë duke u zhvilluar para Parlamentit të Izraelit, ku disa video që po qarkullojnë në Twitter tregojnë një makinë që kalon mes një turme duke marrë zvarrë demonstruesit që mbajnë flamuj në duar.
Sipas raportimeve prej incidentit në fjalë janë plagosur lehtë tre persona.
Ndërkohë në të tjera pamje shihen forcat izraelite të sigurisë duke përdorur autobote me ujë për të shpërndarë protesuesit.
Sakaq, pika e ligjit, e ashtuquajtur "klauzola e arsyeshmërisë" shkaktoi tensione gjatë votimit në Parlament më herët ditën e sotme.
Ligjvënësit e opozitës duke thirrur “turp” u larguan nga salla të indinjuar, duke bojkotuar votimin.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, së bashku me aleatët e tij nacionalistë dhe fetarë të krahut të djathtë, ndërkaq çoi përpara reformën pavarësisht protestave masive që kanë zgjatur për muaj të tërë.
Ai pasi la spitalin për të votuar pro ligjit tha: “Ligji i miratuar nuk është aspak fundi i demokracisë, por realizimi i vullnetit të elektoratit dhe për rrjedhojë vetë thelbi i demokracisë.” (A2 Televizion)