Ligji i ri për spitalet, autonomi financiare, ligjërohet puna private pas orarit zyrtar

Nga A2 CNN
13 Qershor 2022, 15:22 | Aktualitet
Ligji i ri për spitalet, autonomi financiare, ligjërohet puna private

Pas 18 vjetësh nga ligji aktual, spitalet do të kenë autonomi financiare dhe menaxheriale. Nisma e re ligjore e Ministrisë së Shëndetësisë e cila po kalon në kuvend, synon që këto institucione t’i menaxhojnë vetë  buxhetet e tyre, si dhe të gjejnë mundësi për t’i vetëfinancuar shërbimet brenda spitalit. Por cilat do të jenë përfitimet për qytetarët nga ndryshimi i ligjit spitalor?

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se ligji u krijon mundësi mjekëve të punojnë privatisht në spital përtej orarit të punës. Kostot dhe tarifat për konsultat jashtë sistemit të referimit do të miratohen  nga Ministria e Shëndetësisë.

“Kjo do të sjellë që ne t’i kemi mjekët më shumë brenda spitaleve tona për t’u kujdesur shumë më shumë për pacientët, edhe përtej kohës së punës. Do të krijojë për pacientët që duan të kenë konsulta ambulatore jashtë sistemit të referimit, një akses më të drejtpërdrejt në shërbime. Dhe sigurisht kjo bazuar në kosto dhe tarifa të miratuara, sipas të metodologjive që parashikon ligji dhe që ne jemi duke i punuar në vijim të akteve nënligjore që do të dalin menjëherë pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit të ri për kujdesin spitalor”.

Modeli i ri i autonomisë spitalore do të aplikohet fillimisht në Spitalin Memorial të Fierit. Të gjitha spitalet që do të aplikojnë modelin e ri të financimit do të duhet të kalojnë procesin e akreditimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos