
Dhoma e Avokatisë kundërshton hartën e re gjyqësore, që u miratua nga Këshilli I Lartë gjyqësor për reduktimin e gjykatave në vend. Komiteti Drejtues përmes një deklarate thotë se vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.
Ky vendim cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çështjet penale, civile dhe administrative. është në përputhshmëri dhe ne përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.
Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë njofton se ka vendosur të bojkotojë të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim , në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri në datën 17 qershor.
Reformën më të thellë të reduktimit të gjykatave e pësojnë gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm që mbyllen të gjitha dhe mblidhen të gjitha në një gjykatë apelit me seli në Tiranë. Shkrihen 4 gjykata Administrative dhe ngelen vetëm dy, një në Lushnje dhe një në Tiranë. Gjykata të Shkallës së Parë mbeten vetëm 13. Si pasojë e rishpërndarjes shkrihen gjykatat e Tropojës, Pukës, Matit, Kurbinit, Kavajës, Krujës, Lushnjes, Pogradecit, Përmetit. Përpara se të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave ky vendim I KLGJ, pritet ti kalohet KLP-së, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Financave
Njoftimi i Dhomës së Avokatisë
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, pasi u njoh, mori në shqyrtim vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dt.10.06.22, me anën e të cilit është miratuar harta e re gjyqësore.
Komiteti Drejtues konstaton dhe i bën prezent gjithë opinionit publik se, vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta. Ky vendim cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çështjet penale, civile dhe administrative.
Me keqardhje konstatojmë se ky vendim është në përputhshmëri dhe ne përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.
Me këtë vendim u injoruan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e Organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore gjate procesit të diskutimit te draftit në shkallë vendi, fakt i cili tregoi qarte formalitetin, paragjykimin dhe abuzivitetit në mosmarrjen në konsideratë të mendimit te grupeve të interesit, përfshi Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë.
Nisur dhe bazuar në këtë situatë Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë i bën thirrje Ministrit të Drejtësisë dhe nëpërmjet Tij i kërkojmë të përcjell në qeveri, si institucioni vendimmarrës, gjithë argumentet e paraqitura në mbrojtje te interesave të personave fizik dhe atyre juridik, duke konkluduar mos miratimin vendimit te mësipërm paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor .
Ndodhur në këtë situatë Komiteti Drejtues në mbështetje të vendimit paraprak marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë si hap te parë vendosi :
1. Të bojkotoj të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim , në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri në datën 17 qershor.
2. Për ekzekutimin e këtij vendimi, ngarkohen organet drejtuese te Dhomës Qendrore dhe dhomave vendore.
3. Moszbatimi i këtij vendimi nga ana e avokatëve përbën shkelje të rëndë të kuadrit ligjor mbi profesionin e avokatit, e për rrjedhojë do të procedohen disiplinarisht.
Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë
Kryetari
Prof Dr. Maksim HAXHIA (A2 Televizion)