
“Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për PS-në dhe për Shqipërinë. Unë besoj se do të kemi një rezultat që do të jetë një pasqyrim i të njëjtit rezultat si në zgjedhjet e vitit 2017, i besimit të qytetarëve, por për këtë duhet të punojmë jashtëzakonisht shumë”.
Kështu u shpreh në A2 zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj, i cili është kandidat i Partisë Socialiste në Tiranë, i 12-ti në listë.
“Lista e PS-së është përfaqësuese me ato që kanë qenë sfidat dhe arritjet kryesore. Unë besoj se duke qenë që janë zgjedhje shumë të rëndësishme, ajo që është treguar nga përbërja e listës, këto nuk janë zgjedhje sigurie për të gjithë, por e një përpjekje për të vazhduar punën e nisur. Prandaj janë vënë në skaje të listave të gjithë ata që janë eksponentët historikë më të fuqishëm të PS-së. Të gjithë jemi gati të bëjmë më shumë se 100%. Lista i tregon edhe njëherë shqiptarëve që kjo parti është e gatshme t’i vërë të gjitha në vijën e zjarrit për të provuar veten dhe lidhjen që ka me qytetarët dhe mbështetjen e tyre.”
Më tej, ai komentoi edhe listat e opozitës, duke theksuar se ato janë të njëjtat me listat e vitit 2013, por ka humbur ata që ishin elementet më cilësore të saj. (A2 Televizion)