Llogaritë e kreut, javë vendimtare për titullin në Shqipëri

Nga A2 CNN
19 Maj 2021, 13:00 | Futboll
Llogaritë e kreut, javë vendimtare për titullin në

Fitorja në sfidën direkte me Teutën riktheu Partizanin në krye të Kategorisë Superiore. Megjithatë, gara ende nuk ka përfunduar. Ndeshjet e parafundit, do të jetë vendimtare për të përcaktuar kampionin e këtij sezoni.

Java e 35-të rezervon dy duele direkte, Partizani-Vllaznia dhe Laçi-Teuta. Nga rezultatet e këtyre ndeshjeve, do të kuptohet se çfarë rruge do të marrë trofeu më i rëndësishëm në vend. Të kuqtë të fitojnë në shtëpi me shkodranët dhe në javën e fundit të formalizojnë triumfin me Bylisin.

Ndërkohë, Teuta pas sfidës në Laç, ka një ndeshje komode në shtëpi me Apoloninë. Frenimi i Partizanit, do të ishte një asist për të rimarrë kreun dhe titulli të rikthehej në Durrës pas 27 vjetëve mungesë. Në garën për titull, fjalën e tyre mund ta thonë edhe Laçi e Vllaznia.

Nëse fitojnë ndeshjet përkatëse me Teutën e Partizanin, të dy këto skuadra do të merrnin vendin e parë. Më pas, çështja e kurorës së kampionit do të përcaktohej në javën e fundit të kampionatit, ku shkodranët dhe kurbinasit kanë ndeshjen direkte.

Të gjitha opsionet janë të realizueshme. Sfidat e kësaj të premteje do të jenë vendimtare për fatin e gjithë sezonit. Katër skuadra kanë shansin ta fitojnë titullin, me trofeun që do të dorëzohet në javën e fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos