Lobimi në SHBA, Basha nuk paraqitet në Prokurori

Nga A2 CNN
17 Qershor 2019, 10:45 | Aktualitet
Lobimi në SHBA, Basha nuk paraqitet në Prokurori

Në orën 09:30 të ditës së hënë pritej që në Prokurori të paraqitej kreu demokrat, Lulzim Basha, si dhe drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, por asnjëri prej tyre nuk e respektoi thirrjen e Prokurorisë.

Mësohet se në Prokurorinë e Tiranës ka nisur një konsultë në lidhje me atë që do të ndodhë tashmë me mosparaqitjen e zotit Basha pranë organit të akuzës, për t’u njohur me akuzat dhe dosjen ende të pambyllur në hetimet ndaj 650 mijë dollarëve të padeklaruara në KQZ, sipas Prokurorisë, e cila ka ngritur një akuzë për pastrim parash.

Mësohet se alternativat janë dy, ose do të kërkohet një masë sigurimi në gjykatë për zotin Basha dhe dy të pandehurit e tjerë ose do të thirren forcërisht.

https://youtu.be/NpPUxYlkPvI

Tashmë është një dosje e hapur për kreun e PD, Lulzin Basha, i cili sipas Prokurorisë ka kërkuar të shmanget nga përgjegjësia penale me mosparaqitjen e tij. Prokurorët thanë se nëse Basha nuk do të paraqitet edhe me një ftesë tjetër, ata do të vendosin nëse do të dërgojnë një togë shoqërimi pranë selisë së PD për ta paraqitur atë më pas në Prokurorinë e Tiranës apo do t’i drejtohen gjykatës për marrjen e një mase.

https://a2news.com/2019/06/17/thirrja-ne-prokurori-basha-eshte-ne-shkelje-te-ligjit/

Ndërkohë, në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranës, Kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur në Prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikmëri ligjin.

“Në njoftimin e Prokurorisë së datës 12 qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë PD.

Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”- shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha. Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga Prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.

***

Për të njëjtën çështje, Basha është paraqitur në Prokurori edhe në muajin mars të këtij viti, duke i mohuar akuzat se ka shkelur ligjet e me kontratat e lobimit në SHBA në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. “Ka një vit e gjysmë që ka nisur ky hetim, ka 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA e Britania e Madhe. Ato vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk ka shkelur asnjë ligj në Shqipëri, Amerikë e Britani. I kërkoj prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e SHBA dhe Britanisë”, shprehej Basha.

Prokuroria thotë, se ka një mospërputhje mes deklarimeve zyrtare të bëra nga PD dhe shpenzimeve reale.

Sipas prokurorisë, PD ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh.

“Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD. Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos