Objektivi bazë i socialistëve për zgjedhjet parlamentare është 78 mandate, numër ky që kapërcen edhe rezultatin historik të vitit 2017, që i dha pushtetin pa pasur nevojë të bëjë aleancë me asnjë forcë tjetër politike.
Ky objektiv ka vënë në vështirësi figurat më të forta politike të PS-së, të cilat tashmë janë renditur në pozicione të pafavorshme për të fituar mandatin e deputetit, nën argumentin se listat tashmë janë të hapura dhe çdokush duhet të provojë mbështetjen që ka në elektorat.
Kodi zgjedhor parashikon votën preferenciale, por kthimi nga teoria në praktikë kërkon 10 mijë vota në mënyrë që një kandidat të thyejë listën e sigurt.
Referuar rezultatit të vitit 2017, socialistët në Tiranë fituan 18 mandate. Me listën aktuale, jashtë parlamentit do të qëndronin figura si Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli, Pandeli Majko apo edhe Spartak Braho. Kryesocialisti Rama i ka vënë para sfidës që të mbledhin nominalisht 10 mijë vota preferenciale dhe të shpresojnë se personat sipër tyre të preferohen më pak nga votuesit e qarkut Tiranë, për të pasur kështu mundësinë të kapërcejnë vijën e kuqe dhe të rikthehen në Kuvend.

E njëjta panoramë paraqitet edhe në Elbasan, ku socialistët në vitin 2017 morën 7 mandate, ndërsa për 25 prillin numri dy i partisë, Taulant Balla, është renditur i teti, me bindjen se do ta fitojë mandatin, ose me votë preferenciale ose me votë partiake.
Vetë kryesocialisti Edi Rama kandidon në dy qarqe, Durrës dhe Vlorë dhe tek të dyja renditet i teti, aq sa partia e tij fitoi në vitin 2017 në të dyja zonat zgjedhore.
Kjo strategji e Ramës nuk i ka pëlqyer një pjesë të deputetëve aktualë, përfshirë disa nga juristët që hartuan ndryshimet ligjore për hapjen e listave.
Mes tyre është dhe Alket Hyseni, një nga relatorët e ndryshimeve kushtetuese, i cili u rendit i 11 në Vlorë dhe zgjodhi të tërhiqej nga gara. Vasilika Hysi hoqi dorë nga gara pa nisur ende. Adnor Shameti, një nga juristët që ka folur më shumë për këtë çështje, gjithashtu u largua.

Kjo strategji e PS, duket se ka ngacmuar edhe kampin opozitar. Fatmir Mediu, në studion e emisionit "Absolut 4", prezantoi idenë e tij për listën e hapur. “Nëse Rama kufizoi mundësinë për të pasur lista të hapura, opozita ka të gjithë mundësinë për ta ndërtuar këtë raport brenda vetes së vet. Edhe sot. Por fitimtar nuk është vetëm ai që merr 10 mijë vota, por edhe ai që merr 9 mijë vota, në raport me atë që merr 2 apo 3 mijë vota”, u shpreh Mediu. (A2 Televizion)