Arsenal është skuadra e parë angleze që nis zyrtarisht përgatitjet për rifillimin e sezonit. Ashtu sikurse kishte njoftuar prej fillimit të javës, klubi londinez hapi dyert e fushave stërvitore për stërvitje individuale të lojtarëve të skuadrës.
I pari që mbërriti në “London Colney”, ishte sulmuesi Aleksander Lacazzete. Pas tij u shfaqën edhe mbrojtësi David Luiz apo portieri Emiliano Martinez, gjithsecili me automjetet e tyre personale.
Për shkak të masave ndaj koronavirus, futbollistët e kanë të ndaluar shpërndarjen e autografeve edhe pse në ditën e parë të rikthimit në stërvitje, nuk u shfaq asnjë tifoz i topçinjve.
Fusha ishte e gjitha e këtyre lojtarëve, që zhvilluan një seancë të lehtë, individuale, dhe duke qëndruar në distancë të konsiderueshme nga njëri-tjetri.
Qeveria në Britaninë e Madhe pritet të rishikojë masat izoluese në datën shtatë maj, ndërsa një fillim i mundshëm i Premier Ligës është planifikuar në ditët e para të muajit qershor. (A2 Televizion)