
Përtej Drinit të Bardhë, në qytetin e Hasit, ëndrrat e mëdha për një jetë më të mirë nuk flasin më shqip. Emërtimet e bizneseve të vogla i thurin lavde në veçanti Britanisë së Madhe, ndërsa xhiroja nëpër rrugën e mespërmes qytetit shijon ndryshe në një makinë me targa angleze. Gati-gati të dhuron dhe një status.
Realiteti i gjithëpranuar i familjeve hasjane është të jetuarit të shpërndarë nëpër botë. Të moshuarve, që nuk e braktisin Hasin deri në vdekje, sikurse shprehen, iu lexohet ndër rreshta një miksim ndjenjash kur tregojnë për fëmijët që jetojnë në Angli, Francë, Gjermani, etj. Përveç mallit dhe dhimbjes, shprehin dhe një dozë krenarie që bërtet “Djali apo vajza ime ia doli”.
Regjistri civil dëshmon për një popullsi prej 21 mijë e 250 banorësh në 4 njësitë administrative të Hasit. Sa prej tyre kanë emigruar nuk dihet saktë. Emërues i përbashkët i largimeve, sidomos te të rinjtë, është varfëria, që rrjedh nga problematika që rëndojnë njëra-tjetrën.
Ndër të paktat raste të rikthimit në Has është një mësues gjimnazi dhe vëllai i tij që prej 6 vitesh jetonte në Gjermani.
Hasi nuk është vetëm shëtitorja e qytetit, ku ekspozohen makinat me targa të verdha, por shtrihet në rreth 400 (399.62) km katror, dhe ata pak banorë që kanë mbetur nëpër fshatrat e thella duhet të presin me orë të tëra për një mjet transporti që i çon drejt qendrës për të marrë ndonjë shërbim në institucione.
Këtij realiteti, i kanë nxjerrë gjoksin para dy kandidatë për kryetarë bashkie në zgjedhjet vendore të 14 majit. I besuari i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Miftar Dauti, po e zhvillon betejën e tij në një fushëbetejë të ngjyrosur rozë të paktën që prej vitit 2015. Kandidati socialist Beqir Mulaj, nga ana tjetër, kërkon të ulet për herë të parë në karrigen e kryetarit të Bashkisë Has. (A2 Televizion)