
Admir Sinamati, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kukësit, me profesion mjek, u shpreh në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN se plaga më e madhe e qytetit, të cilin ai synon ta drejtojë, është largimi i të rinjve.
“Kukësi ka nevojë imediate për frenimin e shpopullimit. Nuk jemi në kushtet e një emigracioni masiv, por jemi në kushtet e shpopullimit. Në çerdhe, në kopshte, mungojnë fëmijët. Kjo nuk ka të bëjë me emigracion, por jemi përballë shpopullimit. Misioni bazik i çdo njeriu të përfshirë në jetën publike e ka detyrë që të ndikojë pranë njerëzve që me prezencën dhe me përfshirjen në politikë të ndërpresë këtë fenomen dhe të krijojë mjedise për ripopullimin e kësaj treve”, tha Sinamati.
Por si mund të “shërohet kjo plagë”?
“E para, është krijimi i klimës normale politike, publike, në institucionet shtetërore dhe ato të pushtetit lokal. Në Kukës ka kohë që njerëzit profesionistë dhe ata që mund të përballen me realitetin me dijen e tyre detyrohen të largohen sepse e gjejnë të pamundur integrimin. Ne do të synojmë të rikthejmë në Kukës njerëzit e sapo diplomuar dhe të arsimuar dhe për të drejtuar në karrige njerëzit e duhur”.
Më tej në Debat, ai ngriti akuza për një klimë terrori dhe frikë te punonjësit e administratës. “Kukësi gjendet në një fushatë tmerrësisht të ndryshme nga ato të kaluarat. Kurrë nuk ka pasur një klimë të tillë politike në përgjithësi. Ajo që duket qartë është klima e terrorit, klima e frikës, e survejimit të gjithçkaje që ka lidhje me kundërshtarët e regjimit.
Ajo që ndodh në Kukës është lehtësisht e dallueshme. Mjafton të hysh në një ambient me njerëz që paguhen nga buxheti i shtetit dhe do të shohësh reagimin sesa të ftohtë janë me kundërshtarët e regjimit dhe menjëherë merr një mesazh nga punonjësi: Doktor, më vjen keq që nuk biseduam bashkë, por jemi në survejim. Vlerat e demokracisë në Kukës janë në rënie, janë drejt limiteve.
Unë e kam parë mllefin që ka Kukësi ndaj qeverisë lokale dhe asaj qendrore, por gjithmonë i kam ftuar njerëzit që votën ta realizojmë si votë pozitive ndaj koalicionit tonë dhe jo si votë kundër regjimit dhe kryetarit aktual”. (A2 Televizion)