Beteja edhe simbolike e Tropojës, demokratët presin rikthimin, socialistët luajnë me kartën e qeverisë

Nga A2 CNN
26 Prill 2023, 20:53 | Politikë
Beteja edhe simbolike e Tropojës, demokratët presin rikthimin,

Tropoja, xhevahiri i alpeve shqiptare, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, na kthen faqen tjetër për të parë realitetin, jo me sytë e turistëve, por me sytë e atyre banorëve, të cilët kanë mbetur pa u larguar.

Shpopullimi, klima e vakët e biznesit, mungesa e fuqisë punëtore, varfëria dhe shumë problematika të tjera rëndojnë jetesën e tropojanëve, duke i bërë ata pesimistë dhe mosbesues te politika.

Me riorganizimin e institucioneve si gjykata, kadastra, paraburgimi etj, qytetarët duhet të udhëtojnë tre orë, të kalojnë dy dogana në hyrje e dalje të Kosovës për të shkuar vetëm për një dokument deri në Kukës. 

Izolimi gjeografik, por edhe në shërbime i nxit jo vetëm të rinjtë, por edhe prindërit e tyre të shohin për mundësi largimi nga qyteti. Ndërsa të moshuarit përpiqen të mjaftohen me pensionin dhe ndihmat nga fëmijët emigrantë.

Bashkia e Tropojës shtrihet në 1057 km katrorë dhe ndahet në 8 njësi administrative. Regjistri civil raporton për rreth 28 mijë e 200 banorë, ndërsa lista e votuesve përmban 21 mijë e 376, ku siç dihet përfshihen edhe emigrantët.

Qytetarët kanë mundësinë të zgjedhin mes dy kandidatëve për kryetar bashkie të provuar. Në garë janë ish-kryebashkiaku nga zgjedhjet e vitit 2015 dhe ish-deputeti i PD, Besnik Dushaj, me mbështetjen e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kryebashkiaku aktual Rexhë Byberi që kërkon mandatin e dytë nën siglën e Partisë Socialiste.

Të dy i njohin vetes atribute kryesisht për investime në infrastrukturë, por thonë se kanë projekte të lëna përgjysmë për realizimin e të cilave kërkojnë votën edhe për 4 vite të tjera.

Kryefjala edhe në premtimet e tyre është Tropoja turistike, që deri më tani është asociuar me Parkun Kombëtar të Valbonës, por të dy këmbëngulin se bashkia është e pasur edhe me shume thesare të pashfrytëzuara turistike.

Thembra e Akilit për Bashki të vogla si Tropoja është mbështetja nga qeveria për investime domethënëse. Fokusi është tek furnizimi me energji elektrike pa ndërprerje, sistemi vaditës dhe asfaltimi i rrugëve në zonat e thella.

Turizmi dhe as ekonomia nuk mund të zhvillohet pa kapital njerëzor të kualifikuar ose jo. Pyetja më e vështirë për dy kandidatët është se si do frenojnë shpopullimin dhe se si do i joshin tropojanët të kthehen në trojet e tyre.

Ndërsa fushata për zgjedhjet vendore të 14 majit vazhdon, banorët e Tropojës kanë mundësinë të zgjedhin jo vetëm programin më të mire e më realist që jep zgjidhje afatgjata dhe jo vetëm momentale. Kanë në dorë të zgjedhin kryebashkiakun që iu ka shërbyer më me efektivitet në të shkuarën.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos