
Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për emisionin italian “Porta a Porta”, ku foli dhe për çështjen e mundësisë së anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian.
Pyetjes së gazetares Vittoriana Abate se nëse Shqipëria i frikësohet një zgjerimi të mundshëm të Bashkimit Europian që përfshin Serbinë, ndërkohë që kjo e fundit është shumë pranë Rusisë, Rama iu përgjigj negativisht, duke shtuar se i kupton dhe arsyet se përse Beogradi ende refuzon të vendosë sanksione ndaj Kremlinit.
“Jo, jo vetëm që nuk i trembemi kësaj, por jemi një zë mjaftueshëm i dalluar në Ballkanin Perëndimor që thotë se duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht. Nga ana tjetër, sigurisht që ka dallime sepse Serbia nuk e ka sanksionuar Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhet kuptuar se ato janë arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe të natyrës pragmatike”, tha Rama.
Mes të tjerash, kreu i qeverisë foli dhe për ndikimin që lufta në Ukrainë ka pasur në Shqipëri.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur që pasioni luftarak, le të themi, të mos na përfshijë edhe ne në krijimin e mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të NATO-s dhe pro NATO-s në Ballkan dhe mes Serbisë dhe komuniteteve që i përkasin një bote sllavo-ortodokse, që është e lidhur ngushtë me Rusinë”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)