Lufta e Putinit, një vit nga dita kur rusët nisën bombardimet në Ukrainë

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2023, 15:33 | Bota
Lufta e Putinit, një vit nga dita kur rusët nisën bombardimet

Një vit luftë në Ukrainë, mijëra të vdekur, miliona të tjerë të larguar nga shtëpitë e tyre, qytete të tëra të shkatërruara dhe kërcënime të vazhdueshme për një përshkallëzim të konfliktit, edhe mes Rusisë dhe NATO-s. Askush nuk e mendonte se gjuha e ashpër e fillim-vitit 2022, do të përshkallëzohej në konflikt ushtarak. 

Më 24 shkurt 2022, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në përshkallëzimin më të madh të luftës ruso-ukrainase, që kishte nisur në 2014. Më 24 shkurt, në orën 5 të mëngjesit, me orën e Kievit, Vladimir Putin i’u adresua kombit me një fjalim shpalli nisjen e një “Operacioni Special Ushtarak” në Ukrainë Putin tha se ai nuk kishte në plan të pushtonte territore ukrainase.  Sipas Vladimir Putin, qëllimi i këtij operacioni ishte mbrojtja e popullsisë në rajonit rusisht-folës të Donbas, i cili prej 8 vitesh, vuante poshtërimin dhe gjenocidin e vazhdueshëm nga regjimi i Kievit. 

Sipas Putin, Rusia kërkonte demilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës, kërkonte të ndalonte anëtarësimin e Kievit në NATO dhe ta mbante Ukrainën në “sferën e saj të influencës”. 

Brenda pak minutash, nga njoftimi i Putin, shpërthime u dëgjuan në Kiev, Khrakiv, Odesa dhe rajonin e Donbas. Trupat ruse hynë në Ukrainë nga veriu në Bjellorusi drejt Kievit, nga veri-lindja në Rusi drejt Kharkivit, nga Lindja në Republikën Popullore të Donjetsk e Republika Popullore e Luhansk dhe nga Jugu në Krimea. 

Pajisjet luftarake, armët e tanket, njiheshin për së largu, nga shenja Z e shkruar mbito.  Menjëherë pas sulmit mëngjesin e asaj të hëne të 24 shkurtit, Volodimir Zelensky, shpalli Ligjin e Luftës në Ukrainë. Më 24 shkurt, në mbrëmje, presidenti Volodimir Zelensky, përmes një video të regjistruar në një nga lagjet e Kievit, njoftoi se nuk do të largohej nga vendi, ai do të rrinte aty, në krye të detyrës. Zelensky urdhëroi një mobilizim të përgjithshëm në ushtri, të të gjithë meshkujve, nga mosha 18 në 60 vjeç, që i ndalonte ata të largoheshin nga vendi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos