
Luljeta Minxhozi zgjidhet zëvendësguvernator i Parë i Bankës së Shqipërisë. Emërimi i saj është bërë nga Këshilli Mbikëqyrës, pas propozimit të guvernatorit, Gent Sejko.
Lajmi bëhet i ditur nga institucioni mbikëqyrës bankar. Emërimi i znj. Minxhozi erdhi pasi, Parlamenti miratoi 6 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke i dhënë fund ngërçit dy mujor të mosfunksionimit të këtij Këshillit, për shkak të mungesës së konkurrumit.
Gjashtë anëtarët e rinj të përzgjedhur janë Ridvan Bode, Artan Hoxha, Suela Popa, Luljeta Minxhozi, Edlira Luçi, Arben Malaj, të cilët zëvendësuan 6 anëtarët që u kishte mbaruar mandate. Tre anëtarët e tjerë të këshillit mbikëqyrës janë Gent Sejko, që është aktualisht dhe guvernator i Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, që është zv.guvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë dhe Tonin Kola.
Luljeta Minxhozi zëvendëson në këtë mënyrë Elisabeta Gjonin, e cila ishte Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej janarit të vitit 2012. (A2 Televizion)