Macron u infektua në samitin e BE-së, karantinohet në Versajë

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2020, 14:53 | Bota
Macron u infektua në samitin e BE-së, karantinohet në

Presidenti francez, Emmanuel Macron, pozitiv me Covid-19, është larguar nga pallati Elize për të vijuar karantinën në rezidencën shtetërore “La Lanterne” në Versajë.

Mjekët e tij thonë se aktualisht po përjeton kollë të thatë, lodhje si dhe temperaturë. Bashkëshortja e tij, Brigitte, nuk i është bashkuar pasi rezultoi negative në testin për Covid-19.

Zyra e Macron përsërit se ai është në detyrë si president dhe po punon në distancë. Sipas pallatit Elize, 42-vjeçari duhet të qëndrojë në izolim për të paktën 7 ditë.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë duket se ka gjetur vendin ku është infektuar Macron. Duke folur për mediat franceze, Olivier Veran, tha se presidenti e mori virusin gjatë samitit të liderëve të Bashkimit Europian dhe jo gjatë një darke të organizuar në Pallatin Elize.

Presidenti francez mbajti një sërë eventesh të profilit të lartë në ditët e fundit. Kjo bëri që kryeministra dhe liderë shtetesh dhe të BE-së të izoloheshin, pasi kishin pasur kontakt të afërt me Macron. Qytetarët në Francë komentuan këto zhvillime duke thënë se nuk është faji i Macron nëse ka infektuar dhe liderë europianë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos