Magjia e lundrimit me vela

Nga A2 CNN
15 Korrik 2023, 12:53 | Aktualitet
Magjia e lundrimit me vela

Është herët në mëngjes. Në Brindisi, prej disa orës, që mbrëmjen e 5 korrikut janë mbledhur të gjithë ata të apasionuarit dhe sportistët që do të garojnë në një kompeticion miqësor me varka me vela. Rregullat e garës janë shumë por më kryesoret është që nga Brindisi në Vlorë të gjithë ekuipazhet do të duhet të udhëtojnë vetëm përmes erës.

Era dhe velat janë motori I lëvizjes së tyre. Vetëm përmes fuqisë së natyrës ekipet do të duhet të lundrojnë deri në Vlorë. nëse ndezin motorët për të vijuar lëvizjen që ndoshta ndalet njëlloj si era, ata skualifikohen nga gara. Destinacioni ku do të ankorohen që quhet edhe pika e mbërritjes është Marina Orikum.

A2 CNN është në mbështetje të një shqiptari që quhet Ermal Krutani. Ne jemi tifozët që e presin në Marinën e Orikumit me fitore. Janë nisur në mëngjes, por sipas parashikimeve ndonëse do të duhej të vinin në Vlorë gjatë perëndimit, për shkak se era është e lehtë, shpejtësia me të cilën kanë lundruar është e vogël. pritja do të jetë e gjatë. Varkat më të mëdha kanë nisur të mbërrijnë, ato pritet të jenë edhe të parat që kanë siguruar një çmim në këtë kompeticion.

Për herë të parë në këtë garë do marrin pjesë dhe dy barka me vela nga Shqipëria me ekuipazh totalisht shqiptar. Pas perëndimit, arrijmë të komunikojmë me Ermalin. Valët arrijnë të na lidhin në celular aq sa të njoftojë që prej perëndimit erë nuk ka dhe varka e tyre nuk po lëviz nga vendi. Ndaj ai ka dy zgjidhje, të ndezë motorin dhe të skualifikohet nga gara ose të presë në mes të detit, derisa varka të lëvizë nga një pikë afër portit të Vlorës deri tek Orikum Marina. Mëngjesin tjetër Ermali ka mbërritur. Ka qenë një ditë-natë e gjatë për të dhe ekipin, por nuk ka harruar premtimin që na ka dhënë. Do të dalim në det  për të na rrëfyer jetën e tij, nga udhëtimi si klandestin me një gomone drejt brigjeve italiane e deri te varka e tij me vela, pasionin me të cilin jeton tani që është një shqiptar i realizuar që jeton në Angli.

Kjo regatë zhvillohet me bashkëpunimin e Lega Navale Italiana dhe Marina e Orikumit është ndryshe pikë-stacioni i vetëm në Shqipëri që ofron shërbime ankorimi, apo mirë-mbajtje profesionale për të gjitha llojet e barkave me vela, apo edhe yacht-et e madhësive të ndryshme. Inxhinierët, drejtuesit aty dhe mikpritësit na shpjegojnë se kjo marinë e pozicionuar në një pikë mjaft strategjike të Gjirit të Vlorës, aty ku pikë-takohen dy detet, ai i Adriatik-ut me atë të Jon-it është një mundësi zhvillimi për Shqipërinë, çka e gjejmë të pohuar edhe nga sportistët e këtij edicioni. Sepse ato rikthehen për herë të dytë në Marina Orikum dhe po ashtu Ermali na tregon se Vlora i ka mundësitë të kthehet në një kartolinë të bukur të cilën ai dhe shumë shqiptarë para 20 vitesh thjesht e mund ta ëndërronin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos