
Mes bjeshkëve të Tropojës, përmes një programi artistik artistë e personalitete të njohur në botë kanë veç një thirrje: të punohet më shumë për turizmin në këtë peizazh përrallor.
A2 CNN këtë fundjavë rrugëton në Sylbicë, një vend përrallash, zanash, shtojzovallesh e mitesh. Jemi në majat më të larta të veriut, në Bjeshkët e Tropojës. Në histori, Sylbica njihet si një ndër bjeshkët e fisit të Bytyçit dhe prej andej një pamje e mrekullueshme e malit më të lartë të Kosovës duket se na ka ndarë dhe bashkuar po aq ndër vite.
Këto alpe duket sikur janë krijuar njëlloj si përshkrimet e librave të shkruar qindra vite më parë dhe ende mbeten po aq magjike. Sepse njerëzit e zonës ose I kanë respektuar këto zona, ose janë kujdesur të mos I harrojnë asnjëherë sado larg që kanë shkuar.
Pasuritë e shumta natyrore si lumi dhe shtatë liqenet, që bashkohen me lartësinë mbi 2200 metra, e bëjnë Sylbicën të lakohet si një ndër zonat më të bukura të Shqipërisë, por ende të pazhvilluar, ende të panjohur edhe për vetë shqiptarët.
Ishte një ide e fotografit shqiptar Fadil Berisha që në bjeshkët e Tropojës të jehojë arti, muzika, vallet dhe kostumet shumëngjyrëshe, me një mision të vetëm: për të vënë në dukje potencialin e jashtëzakonshëm të këtyre anëve ku ajri i pastër, ushqimi, mikpritja e njerëzve dhe fuqia e natyrës të bëhen bashkë.
Inva Mula ka qenë vetëm një nga artist që i është bashkuar kësaj thirrjeje që në qershor bën bashkë edhe të gjithë ata që janë larguar nga vendi, por që rrënjët i kanë ende të forta aty.
“Ajo që më bëri të vija ishte një premtim që i dhashë Fadil Berishës në Nju-Jork javën e kaluar, kur më tha që do të shkoj në Tropojë për një program për të ndihmuar turizmin e zonës. Dhe duke e ditur saa i lidhur është Fadili me këtë zonë, i thashë do të vij. I bëra nder vetes, sepse është një nga zonat më mbresëlënëse. Jam shumë e nderuar që jam këtu, sa të mundem do ta mbështes”, tha sopranoja e madhe.
Si Inva Mula, në këtë festë, kanë mbërritur edhe shumë qytetarë që ndonëse punojnë dhe jetojnë jashtë, në ditët e para të verës e kanë traditë të bëhen bashkë në këtë vend. Bjeshkët që lidhin Shqipërinë dhe Kosovën, dikur me kufij e tani pa to, janë bërë bashkë edhe në këtë festë.
Këto male janë magjike dhe të pavdekshme edhe përmes letërsisë, eposit që thërret fort të mos I braktisim këto anë. (A2 Televizion)