
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një ceremonie shtetërore ka nderuar me urdhrin e lartë “Shotë Galica” xhudisten Majlinda Kelmendi, e cila kishte zgjedhur ditën e sotme për të hequr dorë zyrtarisht nga ky sport, me anë të të cilit fitoi dhjetëra medalje në kompeticione të rëndësishme europiane dhe botërore.
“Ajo me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos, heroinë e Kosovës. Në tre dekadat e jetës së saj u bë fytyra e Kosovës së sotme”, tha presidentja Osmani gjatë fjalimit.
Kelmendi konsiderohet gjerësisht si një nga garueset më të mëdha të xhudos dhe sportit në Kosovë në përgjithësi. Suksesi i saj më i madh ndodhi në Lojërat Olimpike “Rio 2016” kur fitoi medaljen e artë të parë Olimpike por edhe të parën për Kosovën.
Pas tërheqjes nga sporti aktiv, Kelmendi do të vazhdojë punën si trajnere përkrah mentorit të saj, Driton Kuka. (A2 Televizion)