
Kosova ashpërson masat kundër koronavirusit, edhe pse prej javësh e ka vënë nën kontroll pandeminë dhe raporton numra njëshifror të rasteve me koronavirus.
Sipas rregullave të reja, qytetarët që do të hyjnë në vend, do të duhet të dëshmojnë vaksinim të plotë, test negativ apo provë se e kanë kaluar virusin. Por masë e re, sa i përket vaksinimit, ështe se shtetasit e Kosovës dhe ata me qëndrim të përkohshëm, nëse janë të vaksinuar me një dozë do të duhet të paraqesin edhe dëshmi për test negativ jo më të vjetër se 48 orë.
Përjashtohen nga masat, personat që kalojnë tranzit nëpër Kosovë, ata nën 12 vjeç, si dhe që kanë dëshmi mjekësore se nuk mund të vaksinohen.
Mbajtja e maskës vazhdon të jetë e detyrueshme. Sakaq, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Nuk ka ndryshuar as orari i shërbimit në bare e restorante, që do lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30.
Në 24 orët e fundit, Kosova raportoi vetëm 8 raste dhe 1 vdekje nga Covid-19. (A2 Televizion)