
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e kuvendit malazez për të miratuar ligjin për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare, i cili iu garanton pakicave kombëtare në këtë vend të vendosin në publik këto simbole dhe të festojnë festat e tyre.
Presidenti Meta falënderoi partitë shqiptarë në Malin e Zi për atë që ai e quajti një hap të madh për respektimin e të drejtave të pakicave.
“Ky ligj, që priste miratimin që prej vitit 2017 u garanton komunave ku shqiptarët përbëjnë 5% të popullsisë shënimin e festës kombëtare. Një hap i rëndësishëm në drejtim të respektimit të të drejtave të pakicave dhe në dobi të forcimit të kohezionit social dhe kontributit të tyre në ndërtimin e shtetit të së drejtës. Përgëzime jo vetëm partive politike shqiptare, por të gjithë institucionet në Malin e Zi që kontribuan në miratimin e këtij ligji të rëndësishëm”, shkruan presidenti Meta në Facebook. (A2 Televizion)