Mandati i Olta Xhaçkës, Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin

Nga A2 CNN
23 Janar 2023, 20:28 | Politikë
Mandati i Olta Xhaçkës, Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin

Kuvendi i Shqipërisë ka shkelur kushtetutën duke mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimin e legjitimitetit të mandatit të deputetit për Olta Xhaçkën. Ky ishte konkluzioni i anëtarëve të gjykatës të cilët shpallën antikushtetuese votat e maxhorancës që i dolën në mbrojtje Ministres së Jashtme.

Shfuqizimin e vendimeve “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka ”të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese

Kjo vendimmarrje e Gjykatës lidhej me padinë e grupimit të Enkelejd Alibeajt, ndërsa në tryezën e gjyqtarëve kushtetues ishte edhe padia e grupimit të Berishës. Sipas kësaj të fundit, gjyqtarët duhet të shqyrtonin mandatin e deputetes të Olta Xhaçkës, pasi Kuvendi nuk pranoi që t’ia përcillte kësaj trupe këtë çështje. Por ky kapërcim hallkash nuk u legjitimua nga Gjykata.

Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese

Kësisoj, Gjykata rivendosi praktikën kushtetuese ku detyron Kuvendin që të mos kapërcejë këtë hallkë në shqyrtimin e legjitimitetin e mandatit të një deputeti. Pas zbardhjes së vendimit, seanca plenare është e detyruar që këtë çështje t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i plotë

Gjykata Kushtetuese në datën 18.01.2023, në orën 10:00, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 9 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve. Deklarimi i vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, shkronja “ç”, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/23/bardhi-pas-vendimit-te-kushtetueses-rama-deshtoi-per-te-mbrojtur-mandatin-e-xhackes/
https://a2news.com/2023/01/20/mafioze-e-pashoqe-berisha-olta-xhacka-e-ka-vendin-ne-burg/
https://a2news.com/2022/06/21/grupi-parlamentar-i-pd-kallezim-penal-kunder-edi-rames-ka-abuzuar-me-ligjin-per-investimet-strategjike-ne-rastin-e-olta-xhackes/

A2 CNN Livestream

Latest Videos