Mandzukic është i Milanit, nënshkruan për 6 muaj me opsion rinovimi

Nga A2 CNN
19 Janar 2021, 16:26 | Futboll
Mandzukic është i Milanit, nënshkruan për 6 muaj me opsion

U përfol në media, në pak ditë mbërriti në Itali për vizitat dhe tashmë vjen firma. Mario Mandzukic mbylli shumë shpejt marrëveshjen me Milanin dhe vishet zyrtarisht kuqezi deri në fund të sezonit.

Ish-sulmuesi i Juventusit rikthehet në kampionatin italian të futbollit nga ku u largua në vitin 2019 kur mbronte ngjyrat e Zonjës së Vjetër.

Pas aventurës dyvjeçare në Katar, “Mr NoGood” siç është epiteti i kroatit për mimikën e tij karakteristike, shihet ende i vlefshëm nga drejtuesit e Milan që e kanë menduar 35-vjeçarin si zëvendësuesin e Zlatan Ibrahimovic.

Madje, gjiganti suedez në intervistën pas ndeshjes kundër Cagliarit u shpreh se Milan është më i frikshëm me një dyshe si ai dhe Mandzukic.

Futbollisti kroat ka firmosur për 6 muaj në Milano dhe me opsion rinovimi automatik në rast se Milan përmbush objektivin e qëndrimit në katër vendet e para deri në fund të kampionatit. 1,8 milionë euro është shuma që do të përfitojë për këtë periudhë Mandzukic. Milan ndërkohë nuk e ka mbyllur dritaren e transferimeve madje duke parë problemet me mungesat po punon për të afruar edhe për disa talente të rinj, emra si Tomori nga Chelsea apo yllin e Barcelonës Zhunior Firpo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos