
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur publikimin e Raport Progresit të KE-së për t’iu përgjigjur manifestimit të thërritur nga presidenti Ilir Meta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kreu i qeverisë ka publikuar konkluzionet e Raport Progresit, i cili sipas tij riforcon qëndrimin se Shqipëria i ka përmbushur detyrat dhe meriton hapjen e negociatave. Sipas Ramës, hapen apo jo negociatat, kjo është çështje politikave dhe u takon vendeve anëtare.
Postimi i kryeministrit Rama
Ja çfarë thuhet në konkluzionin e Raportit të Progresit, që u publikua SOT nga Komisioni i Ri Evropian:
“Nën dritën e progresit domethënës dhe të faktit se kushtet e vendosura unanimisht nga Këshilli Evropian në qershor 2018 u plotësuan, Komisioni i rekomandoi Këshillit Evropian në paketën e zgjerimit 2019, hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Në tërësi, Shqipëria ka shtuar përpjekjet dhe ka arritur rezultate të mëtejshme e të qëndrueshme në fushat kyçe të identifikuara në konkluzionet e Këshillit në qershor 2018. Si rrjedhojë, bazat e rekomandimit të Komisionit në 2019 për të hapur negociatat me Shqipërinë mbeten në fuqi.”
Pra, Komisioni i Ri Evropian, jo vetëm rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, por rikonfirmon duke e përforcuar, rekomandimin e Komisionit paraardhës, vitin e shkuar! Kjo do të thotë se Shqipëria i kishte kryer dhe ka vazhduar t’i kryejë me sukses detyrat e shtëpisë për hapjen e negociatave.
A i hap apo nuk i hap Këshilli Evropian negociatat paskëtaj, kjo është POLITIKË dhe u takon vendeve anëtare të vendosin, jo Shqipërisë!
A e gjejnë apo nuk e gjejnë vendet anëtare konsensusin e nevojshëm për t’i dhënë Shqipërisë atë që i takon, kjo varet nga sa arrijnë ato të harmonizojnë interesat e përveçme me interesin e përgjithshëm!
Hapen nuk hapen negociatat në mars, në qershor, në tetor apo në dhjetor, të këtij a të vitit tjetër apo të tjetrit pas tjetrit, kjo nuk është në dorën tonë po në duart e 27 vendeve anëtare të BE-së! Në dorën tonë është të bëjmë me sukses detyrat e shtëpisë, jo për hatër të tyre po për Shqipërinë evropiane që duam për fëmijët tanë! Dhe a i kemi bërë apo jo detyrat, këtë ka vetëm një instancë që ka mandatin dhe objektivitetin për ta thënë: Komisioni Evropian. (A2 Televizion)