Pas orësh të tëra negociatash kryesisht të pafrytshme për buxhetin, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së e përfunduan para kohe samitin e tyre të posaçëm mbi planifikimin financiar deri në vitin 2034. Idetë rreth madhësisë dhe shpërndarjes së fondeve ishin ende "shumë larg njëra-tjetrës", tha kancelari gjerman Friedrich Merz në mbrëmje. Prandaj u ra dakord që takimi të mos vazhdonte të premten në mëngjes siç ishte planifikuar fillimisht.
Megjithatë, Merz shprehu besimin e tij se një marrëveshje mbi një kuadër financiar afatmesëm do të arrihet deri në fund të vitit. Të gjitha shtetet anëtare "po përpiqen të arrijnë një marrëveshje deri në fund të vitit", shtoi ai. Kancelari vuri në dukje zgjedhjet në disa vende evropiane vitin e ardhshëm, përfshirë Francën, Italinë dhe Poloninë. Këto zgjedhje do ta bëjnë më të vështirë për krerët e shteteve dhe qeverive në detyrë të negociojnë buxhetin e BE-së vitin e ardhshëm, tha Merz.
Presidenti i Këshillit António Costa e përfundoi takimin, i cili kishte filluar në mëngjes, pak pas mesnatës. Ai e kishte planifikuar samitin për dy ditë për të bërë më në fund përparim në negociatat mbi buxhetin e ardhshëm afatgjatë - por mungesa e gatishmërisë për kompromis nga ana e krerëve të shteteve dhe qeverive ia prishi planet. "Ky samit ishte një hap i domosdoshëm në proces", u mbrojt ai më pas.
Merz dhe krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive kishin planifikuar të qëndronin në Bruksel deri të premten në mbrëmje. Kancelari madje kishte rënë dakord me grupin parlamentar CDU/CSU në Bundestag se nuk do të duhej të merrte pjesë në votimin për buxhetin federal të vitit 2027 të planifikuar për të premten pasdite.
Sakaq, Kryeministri hungarez Péter Magyar ishte ai qw talli negociatat e pafrytshme. "Të paktën mësova nga kryeministri italian se duhet të përmirësoj pritjen time të volejbollit", tha ai. Magyar kishte luajtur volejboll kundër Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjatë një vizite në Ukrainë dhe pamjet e ndeshjes qarkulluan shpejt në internet.
Pas samitit, Magyar shtoi se mbledhja e këshillit kishte qenë "krejtësisht e panevojshme". Shtetet anëtare ishin më larg njëra-tjetrës sesa kishin qenë atë mëngjes, tha ai atë natë. (A2 Televizion)