Meta nënshkruan dekretin: Nëse nuk zbatohet, betohem se do të shpërndaj parlamentin

Nga A2 CNN
2 Mars 2020, 18:13 | Politikë
Meta nënshkruan dekretin: Nëse nuk zbatohet, betohem se do të

Është mbajtur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” manifestimi i thirrur nga presidentit Ilir Meta për mbrojtjen e kushtetutës. Shumë qytetarë, simpatizantë, artistë dhe politikanë iu bashkuan manifestimit që zgjati për rreth 2 orë.  Liderët e opozitës jashtëparlamentare ishin të pranishëm, por asnjëri prej tyre nuk foli.

Presidenti, gjatë fjalimit të tij, listoi ato që ai i quan tentativë për “grusht shteti” nga ana e mazhorancës dhe premtoi se do të qëndrojë përballë tyre deri në fund.

Në fund të fjalës së tij, Meta nënshkroi dekretin për të kthyer në Kuvend ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe premtoi se nëse mazhoranca nuk e merr seriozisht atë, atëherë ai do të shkojë në 15 mars në parlament dhe do ta shpërndajë atë.

“Presidenti i popullit kuqezi ulet në gjunjë vetëm përpara flamurit kuqezi dhe përpara popullit të shqiponjave. Ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizatat ndërkombëtare mafioze, të cilat kërkojnë të shkatërrojnë sovranitetin. Neni 2 thotë se, sovraniteti i përket vetëm popullit. Populli nuk futet në xhep si paratë e oligarkëve. Shqipëria është e ndarë në botën e popullit kuqezi dhe në botën e errët të tradhtarëve dhe oligarkëve, të cilët pinë çdo ditë gjakun e popullit tonë”, tha Meta.

Presidenti u shpreh se mazhoranca provokoi opozitën për t’u larguar nga Parlamenti. “Ky gjysmë-parlament është shndërruar në një kukull të këtij sekti, të pa fe. Ata provokuan opozitën për t’u larguar nga parlamenti dhe më pas, zëvendësuan deputetët në kundërshtim të plotë me kushtetutën. Kjo u bë vetëm që të eliminohej opozita në kuvend”, tha Meta.

Më tej, Meta bëri një përmbledhje të situatës, nga ku nisi grushti i shtetit, sipas tij.

“Ideatorët e grushtit të shtetit po shpopullojnë Shqipërinë. Nëse drejtësia do të funksiononte, unë nuk do t’ju ftoja juve këtu. Grushti i shtetit ka nisur me vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2017. Dosjet nuk hetohen edhe pse ndërkombëtarët e kërkojnë. Ato dosje janë vetëm maja e ajsbergut në atë që ndodhi në të gjithë Shqipërinë. Grushti i shtetit u thellua me kapjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Kështu, ata morën nën kontroll hetimin dhe siguruan pandëshkueshmërinë totale të vjedhësve të votës, siguruan mjetin për të shantazhuar çdo kundërshtar politik. Gloveri i tregoi të gjithë botës maskaradën e zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Rrëmbyen 100 përqind pushtetin lokal. Ata miratuan së fundmi, të ashtuquajturën 'KÇK', për të futur nën thundër edhe drejtësinë e re”, tha Meta.

Presidenti dha edhe arsyet se pse i ftoi qytetarët në këtë tubim. “A ka ndonjë vend në Evropë apo NATO që ka qëndruar një orë pa Gjykatë Kushtetuese? A ka një vend ku shpiken ligje antikushtetuese, siç duan të bëjnë edhe me Gjykatën Kushtetuese? Këta nuk e vranë mendjen, puçistët vendas dhe bashkëpunëtorët e tyre ndërkombëtarë, për asnjë shkelje të afateve kushtetuese. Shqiptarët janë këtu se duan një drejtësi sipas Kushtetutës. Historia na ka mësuar se edhe Hitleri, me anë të ligjeve antikushtetuese, e instaloi diktaturën e tij. Kur qeveria ka frikë nga populli, aty ka liri, aty ka drejtësi”, tha Meta”.

Më tej, presidenti firmosi dekretin kundër ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Nëse nuk e marrin seriozisht këtë dekret, ju jap fjalën për flamurin, se mbas datës 15 mars, kur të përfundojë reforma zgjedhore, që është një kusht, populli kuqezi... unë Ilir Meta betohem se atë dekret do ta firmos në mes të Parlamentit”.

(A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/03/02/flamuri-i-shba-se-ne-tubimin-e-presidentit-reagon-yuri-kim/
https://a2news.com/2020/03/02/berisha-i-bashkohet-tubimit-te-metes-shenohet-fillimi-i-fundit-te-narkoshtetit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos