
Dy persona janë arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit të koduar “Storm”, pasi u kapën duke transportuar 40.3 kilogramë kanabis sativa, me qëllim shitjen në qytetin e Laçit.
Në pranga kanë rënë shtetasit H. M., 25 vjeç, banues në Malbardhë të Kurbinit, dhe H. K., 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrolleve në rrugën e fshatit Selitë, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip “Mitsubishi”, me drejtues shtetasin H. M. dhe pasagjer H. K. Brenda automjetit u gjetën katër thasë me 40.3 kilogramë kanabis.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy të arrestuarit e kishin siguruar lëndën narkotike në fshatin Mafsheq, në Malësinë e Krujës, dhe po e transportonin drejt Laçit për ta shitur.
Përveç lëndës narkotike, Policia sekuestroi edhe një peshore manuale, automjetin dhe një celular. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)