Facebook ka mundësuar dhe në disa raste ka toleruar faktin që disa liderë politikë, veçanërisht në vende autoritare ose pak të zhvilluara, të përdorin faqe të krijuara artificialisht për të gjeneruar përkrahje artificiale ndaj tyre ose sulme dhe lajme të rreme ndaj kundërshtarëve.
Kjo është akuza e prestigjiozes britanike “The Guardian” ndaj rrjetit të njohur social, dhe që do të nxisë më shumë debatin për ndikimin që ka "krijesa" e Mark Zuckenberg.
Gazeta e njohur bazohet në dokumente të brendshme të kompanisë amerikane, si dhe në detajet e dhëna nga një ish-punonjëse e kompanisë, që merrej specifikisht me këtë fushë deri në pushimin nga puna në shtatorin e kaluar, Sophie Zhang.
Investigimi merr parasysh të paktën 30 raste në 25 vende të ndryshme të botës, ku përfshihet edhe Shqipëria. Për vendin tonë, “The Guardian” flet për një “network” shqiptarë që prodhonte komente të rreme, që sipas burimeve të tyre i referoheshin personave afër qeverisë, por që investigimi i Facebook nuk vijoi më tej.
Si funksionon skema mashtruese
Investigimi i The Guardian jep edhe disa shembuj konkretë. Kjo është faqja Azad Soz, që mbështet aktivistë që kritikojnë pushtetin në Azerbajxhan Komentet janë me mijëra, dhe shumica kritikon qasjen e faqes dhe janë në mbështetje të qeverisë Por një investigim më i thellë tregon “kleçkën”. Po të shihet mirë burimi i komentit, persona me emër dhe mbiemër, del se në fakt ato janë faqe që përfaqësojnë në mënyrë fiktive, restorante, bare, palestra etj. Këto faqe janë krijuar dy ose tre javë përpara postimit, dhe mund të komentojnë dhe shpërndajnë lajmet, si të ishin profile normale Çdo profil mund të krijojë faqe të tilla pafund, që me komentet e tyre mund të ndikojnë në perceptimin e ngjarjes Nga 301 komentet në një postim në faqen azere të shembullit, 294 i përkisnin faqeve fiktive, gjysma e krijuar një muaj më parë
Sipas Zhang, ekziston një mangësi në rregulloren e Facebook, një boshllëk ligjor që lejon krijimin e panumërt të faqeve, që përdoren nga abuzuesit si profile unike që komentojnë në drejtim të caktuar komentet e liderëve ose të kundërshtarëve, duke “gënjyer” algoritmin e Facebook që në këtë mënyrë i jep hapësirë më të madhe ose i zhduk ato, sipas qëllimit.
Stafet e politikanëve të ndryshëm përdorin këtë “kleçkë” pothuajse çdo ditë, dhe sipas deklaratave zyrtare të Facebook, faqet mbyllen sapo identifikohen. Por sipas vrojtimit të Guardian, kjo vjen me ritme shumë të ndryshme, edhe aty ku ka sinjalizime të qarta për abuzimet. Ndërkohë që në vende si Italia ose Polonia merren masa brenda pak orëve ose ditësh, në raste të vendeve si Meksika, Azerbajxhani, Bolivia, Hondurasi, por edhe Shqipëria, masat janë marrë me një vit vonesë, kur tashmë efekti politik ishte arritur, ose janë injoruar totalisht.
Zang pohon se ka informuar gjatë vitit 2018 dhe 2019 për abuzime të tilla edhe disa nga drejtuesit kryesorë të Facebook, si zëvendëspresidenti i Integritetit, Guy Rosen, por gjithçka përfundoi në shkarkimin e saj për “performancë të dobët”. (A2 Televizion)