Efikasiteti i ulët i vaksinës, tërhiqet zyrtari kinez: Deklarata u keqinterpretua

Nga A2 CNN
12 Prill 2021, 13:43 | Bota
Efikasiteti i ulët i vaksinës, tërhiqet zyrtari kinez: Deklarata

Ka shkaktuar jo pak reagime, pohimi i drejtorit të qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve në Kinë, se vaksinat e prodhuara në këtë vend, kanë efektshmëri të ulët. Por zyrtari i lartë Gao Fu, që u bë protagonist i pranimit të rrallë të dobësisë nga ana e Pekinit, këmbëngul se bëhet fjalë për një keqinterpretim të fjalëve të tij.

Në një intervistë për “Global Times”, Gao tha se propozimi i tij për të përmirësuar vaksinat, ishte interpretuar se efektshmëria e vaksinës kineze është e ulët. “Nivelet e mbrojtjes së të gjitha vaksinave në botë, janë ndonjëherë të larta e ndonjëherë të ulëta. Përmirësimi i efektshmërisë është një çështje që duhet të konsiderohet nga shkencëtarët rreth botës. Në këtë aspekt, sugjerova që të konsiderohet përmirësimi i procesit të vaksinimit, si për shembull numri i dozave dhe intervaleve dhe ndërthurja e llojeve të ndryshme të vaksinave”, tha ai.

Zyrtari kinez tha se të gjitha vaksinat aktuale janë krijuar mbi bazën e vaksinave për viruse të tjera dhe se duhet të përmirësohen me tej për t’iu përshtatur më shumë koronavirusit dhe rezultateve të imunizimit. Kina ka krijuar 4 lloje vaksinash të aprovuara për përdorim publik, por ndërsa të dhënat në dispozicion janë të mangëta, efektshmëria e tyre mbetet e pasigurt.

Testimet e zhvilluara në Brazil të vaksinës së Sinovac, treguan një efektshmëri prej 50,4 për qind, pak më shumë mbi pragun e kërkuar nga OBSH-ja. Në komentin e tij fillestar ditën e shtunë, kreu i qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve tha në një konferencë se vaksinat aktuale nuk kanë nivel të lartë mbrojtjeje dhe sugjeroi se Kina po mendonte ndërthurjen e tyre për të rritur efektshmërinë. Por pas zhurmës që shkaktoi deklarata zyrtari kinez u tërhoq në qëndrimin e tij, duke folur për keqinterpretim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos