Manipulimi i monedhës, Uashingtoni zbut qëndrimin ndaj Kinës

Nga A2 CNN
14 Janar 2020, 10:24 | Bota
Manipulimi i monedhës, Uashingtoni zbut qëndrimin ndaj Kinës

Shtetet e Bashkuara tërheqin vendimin për ta etiketuar Kinën si një manipuluese të monedhës, ndërsa dy vendet përgatiten për të zbutur luftën tregtare. Ndryshimi, sipas Uashingtonit, i atribuohej faktit se Pekini ishte dakordësuar të mos e zhvlerësonte më monedhën, për t’i bërë më të lira produktet e veta për blerësit e huaj.

Ajo që është cilësuar si faza e para e ujdisë lidhur më çështjen, pritet të nënshkruhet këtë javë. Marrëveshja synon të zbusë raportet mes dy vendeve, të përfshira në një luftë tarifash që prej vitit 2018-të. Analistët e shohin si mjaft pozitiv zhvillimin.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka akuzuar vazhdimisht Kinën për zhvlerësimin e monedhës së juanit, duke i bërë më të lira produktet vendase. Por të hënën Uashingtoni deklaroi se Pekini ishte angazhuar seriozisht për t’u përmbajtur nga zhvlerësimi kompetitiv, njëkohësisht duke promovuar transparencë dhe përgjegjësi.

Shtetet e Bashkuara e cilësuan Kinën një manipuluese monedhe në muajin gusht, ndërsa tensionet mes dy vendeve ishin të larta. Pekini u zotua në atë kohë të hakmerrej me vendosjen e një tarife tjetër prej 10 për qind ndaj importeve me vlerë prej 300 mld dollarësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos