Manovra e re e “flotës fantazmë” të Putinit

Nga A2 CNN
25 Prill 2023, 12:41 | Bota
Manovra e re e “flotës fantazmë” të Putinit

“Flota fantazmë” ruse vazhdon të bëjë të flitet për të. Nëse disa muaj më parë po lëvizte për t'iu shmangur sanksioneve perëndimore kundër naftës ruse, tani duket se këto anije kanë lëvizur në Detin Baltik, në një operacion vëzhgimi. Kjo flotë lundron me transmetuesit e fikur për të mos u dalluar, ndërkohë që anijet po kryejnë një radiografi të plotë të impianteve të erës në det të hapur, tubacioneve të gazit, kabllove elektrike dhe të internetit për të kryer sabotime të mundshme.

Janë me dhjetëra anije që, sipas një hetimi të kanaleve televizive publike nga Danimarka, Finlanda, Norvegjia dhe Suedia, po kryejnë këto detyra spiunazhi në vendet nordike. Një raport me emrin “Shadow War” thotë se janë gjetur të paktën 50 anije ruse që me sa duket peshkojnë ose hulumtojnë, duke bërë turne “të dyshimta” pranë infrastrukturës kritike.

“Në rast konflikti me Perëndimin, ata janë të përgatitur dhe dinë se ku të ndërhyjnë nëse duan të paralizojnë shoqërinë daneze”, paralajmëron Anders Henriksen, nga Shërbimi Informativ i policisë daneze. Në një nga rastet e dokumentuara, ata gjurmuan anijen kërkimore ruse, Admiral Vladimirsky, në ngushticën Kattegat. Gjatë mbikëqyrjes së saj, anija kishte fikur transmetuesin e saj AIS, një sistem për identifikimin e anijeve dhe vendndodhjen e tyre. Sidoqoftë, trafiku i radios i koduar u përdor për ta gjurmuar atë.

Duke iu afruar anijes me një varkë, një reporter i rrjetit u përball me një person të maskuar, i veshur me një jelek antiplumb dhe ndoshta me një pushkë, ndërsa lundronte pranë fermave të erës në Skoci dhe Angli. Sipas ekspertëve, informacioni i mbledhur dërgohet drejtpërdrejt në Kremlin.

Pas luftës në Ukrainë, këto operacione janë intensifikuar nga Moska, e cila kërkon të hartojë infrastrukturën kritike nënujore të vendeve “armike”.

“Nuk ka dyshim se siguria në lidhje me infrastrukturën kritike norvegjeze nuk ka qenë e mjaftueshme. Kabllot janë shumë të prekshme dhe Rusia ka kaluar tashmë shumë vite duke hartuar kabllot e komunikimit nënujor dhe infrastrukturën energjetike”, shpjegon Karen-Anna Eggen, nga Instituti Norvegjez për Studimet e Mbrojtjes.

Pas shpërthimit të gazsjellësit Nord Stream vitin e kaluar, për të cilin sot nuk dihet si ka ndodhur saktësisht, Norvegjia përforcoi sigurinë e infrastrukturës së saj në det kundër sulmeve të reja të mundshme. Në janar 2022, kablloja nëndetëse e Svalbard, një arkipelag norvegjez, u dëmtua pa ditur se çfarë shkaktoi thyerjen e një prej kabllove me fibra që lidh arkipelagun me kontinentin.

Hetimi nordik zbulon lëvizjet e anijeve ruse në këtë zonë. Njëri prej tyre, Melkart-5, kaloi kabllon Svalbard më shumë se 130 herë.

Ase Gilje Ostensen, një ekspert i kërcënimeve hibride në Akademinë Norvegjeze të Mbrojtjes, thotë se këto anije mund të kenë misione specifike, duke pasur aftësinë për të hedhur mina detare në tubacione, kabllo komunikimi apo objektiva të tjerë që mund të sabotohen. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/11/flota-fantazme-ruse-intensifikon-veprimet-prane-spanjes/

A2 CNN Livestream

Latest Videos