“Rreziku i një përplasjeje direkte SHBA-Rusi po rritet në mënyrë të vazhdueshme”

Nga A2 CNN
25 Prill 2023, 09:55 | Bota
“Rreziku i një përplasjeje direkte SHBA-Rusi po rritet në

Rreziku i një përplasjeje direkte mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Kjo sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve TASS, e cila citon një diplomat të lartë rus.

Vladimir Yermakov, kreu i ministrisë së Jashtme për mospërhapjen bërthamore, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve se Uashingtoni po përshkallëzon situatën me sjelljen e tij ndaj Moskës.

“Nëse Shtetet Bashkuara vijojnë të ndjekin kursin aktual të përballjes me Rusinë...atëherë fati i START (traktatit të armëve bërthamore) mund të jetë një përfundim i paramenduar", u shpreh Yermakov.

SHBA-ja i tha Rusisë në mars se nuk do të shkëmbente më të dhëna rreth forcave të saj nukleare pas refuzimit të Moskës për të bërë të njëjtën gjë.

Kjo lëvizje u cilësua nga SHBA-ja si një përgjigje ndaj pezullimit që Rusia i bëri pjesëmarrjes së saj në traktatin START.

Megjithatë, në intervistën e tij, Yermakov nuk u tregua specifik rreth kërcënimeve që po bënte sipas tij SHBA-ja.

“Kërcënimi më akut sot është i lidhur me rrezikun e përshkallëzimit bërthamor si rezultat i një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes fuqive nukleare. Dhe, rreziku, për fat të keq, po vijon të rritet në mënyrë të vazhdueshme”, citohet të ketë thënë diplomati rus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos