
Një flotë e re nëndetësesh me energji bërthamore, që do ti kundërvihet ndikimit të Kinës në rajonin e Indo-paqësorit. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Australia zbuluan detajet e planit të tyre, mbi bazë të së cilit Australia do të sigurojë nëndetëset e para bërthamore – të paktën tri – nga Shtetet e Bashkuara.
Duke folur gjatë një ceremonie në bazën detare amerikane në San Diego, i shoqëruar nga Kryeministri australian Anthony Albanese dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak, Presidenti amerikan Joe Biden e tha se marrëveshja e partneritetit AUKUS 2021, synon rritjen e paqes në rajon, dhe u kujdes të theksonte se ato do të jenë me energji bërthamore e jo me armë bërthamore.
“Sot, teksa jemi në një pikën kthese të historisë ku puna e palodhur për forcimi e mbrojtjes dhe promovimin e stabilitetit do të ndikojë në perspektivat e paqes për dekadat e ardhshme, Shtetet e Bashkuara nuk mund të kërkojnë partnerë më të mirë në Indo.- Paqësor, ku do të shkruhet kaq shumë nga e ardhmja jonë e përbashkët”, tha Biden.
Sunak e quajti këtë “një partneritet të fuqishëm dhe tha se për herë të parë tre flota nëndetësesh do të punojnë së bashku përtej Atlantikut dhe Paqësorit. “Gjatë 18 muajve të fundit sfidat me të cilat përballemi janë rritur. Pushtimi i paligjshëm i Ukrainës nga rusi, ambiciet ne rritje të kinës, dhe sjellja destabilizuese të Iranit dhe Koresë së Veriut, kërcënojnë këtë botë të dominuar nga rreziku, kaosi dhe ndasitë. Përballë këtij realiteti është e rëndësishme më shumë se kurrë të forcojmë qëndrueshmërinë e vendeve tona”, tha Sunak.
Projekti me shumë faza që thuhet se do të kushtojë 245 miliardë dollarë deri në vitin 2055, do të arrinte kulmin me prodhimin dhe funksionimin e një klase të re nëndetësesh - SSN-AUKUS - një mjet detar “të zhvilluar në mënyrë trepalëshe”, bazuar në një projekt të gjeneratës së ardhshme të Britanisë, që do të prodhohej në Britani dhe Australi dhe do të përfshijë “teknologjitë më të fundit” amerikane.
Pekini e kritikoi ashpër marrëveshjen detare. Ministria e Jashtme kineze akuzoi tri vendet se po ecnin gjithmonë e më shumë në rrugën e gabimeve dhe rrezikut. Misioni i Kinës në Kombet e Bashkuara tha më herët se aleatët perëndimorë janë duke kthyer mbrapsht përpjekjet për mospërhapje të armëve bërthamore. (A2 Televizion)