Në pritje të një takimi të ri për të gjetur dakordësinë për përmbylljen e Reformës Zgjedhore, Këshilli Politik ka kohë deri më 30 korrik për të përfunduar reformën më të rëndësishme pas asaj në Drejtësi, 4 vjet më parë. Por, produkti dhe procedurat që u kryen në këtë proces, sipas shoqatave dhe shoqërisë civile, përbën një rrezik për demokracinë dhe të ardhmen.
Në studion e “Ditari”, Premto Gogo, kryetar i KRIIK ALBANIA (Koalicioni per Reforma Integrim dhe Institucione të Pavarura), theksoi se “Marrëveshja e 5 qershorit ka benefit futjen në shinë institucionale të proceseve politike në vijimësi, por precedent i rrezikshëm është cenimi i dakordësisë politike pa marrë jetë akoma”.
“Sistemi demokratik ku ne po bëjmë përpjekje për t’u integruar ka për bazë dialogun dhe pjesë e dialogut janë marrëveshjet politike, që janë baza për arritjen e çdo reforme. Kur zhbëhet kjo dakordësi, nuk ka më garanci për zbatimin e marrëveshjeve të ardhshme”, nënvizoi Gogo.
Sipas tij, zgjidhja e këtij ngërçi vjen nga kompromisi: “Ajo që propozojmë është që kjo marrëveshje të kalojë urgjentisht në Kuvend dhe Kuvendi të rinisë një proces të mirëfilltë konsultimi dhe gjithëpërfshirjeje”. (A2 Televizion)