
Marrëveshja për qeverisjen midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës duket se është më pranë se kurrë.
E shtuna shihej gjatë kësaj fundjave si dita kur Albin Kurti dhe Isa Mustafa do të dakordësonin çështjet e fundit për qeverinë e ardhshme.
Paraditen e kësaj të shtune Vjosa Osmani njoftoi përpara takimit të radhës së të dy liderëve, diskutimet e bëra në kryesine e LDK-së, kur tha se përpjekjet janë më intensive se kurrë më parë me shpresën se do të arrihet një rezultat i mirë.
Ndërkohë, gjatë orëve të drekës pati një tjetër deklaratë nga zyrtaret e LDK. Lutfi Haziri nënkryetari i kësaj partie tha se deri të hënën Kosova do të ketë qeverinë e re, ndërsa siç u shpreh ai për mediat në Prishtinë, dallimet mbeten tek pozicioni i kreut të Parlamentit.
Haziri u shpreh se qasja e të dyja palëve është pozitive, që deri të hënën çdo gjë të përfundojë me Vetëvendosjen që do të udhëheqë koalicionin në qeveri dhe LDK që pritet të ketë më shumë fuqi në parlament, si pjesë e këtij koalicioni. (A2 Televizion)