Borrell në Kosovë: BE e pa plotësuar pa Ballkanin Perëndimor

Nga A2 CNN
30 Janar 2020, 14:28 | Kosova
Borrell në Kosovë: BE e pa plotësuar pa Ballkanin Perëndimor

Në vizitën e tij të parë në Kosovë, shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, u shpreh se Bashkimi Europian nuk është i plotësuar pa Ballkanin Perëndimor.

“Bashkimi Europian nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor dhe dëshirojmë të sigurojnë stabilitet dhe siguri për secili, pasi këto janë prioritete dhe në interesin tonë. Nuk do t’ia lejojmë vetes që të kemi Ballkanin të ndarë dhe nuk kemi mundësi që vendet të jenë të ndara nga njëra-tjetra dhe të ndalohen vuajtjet që kanë ndodhur nëpër botë”, u shpreh Borrell.

Kryediplomati europian, i cili në këtë detyrë vjen në vend të Federica Mogherinit, pati edhe një porosi sa i përket formimit të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë.

“Kosovarët janë të lirë të vendosin për fatin e vet dhe është çështje të vendosin për qeveri e jo të bisedojnë me ne për qeveri, është çështje e tyre. Dëshirojmë të shohim se po krijoni një qeveri sa më parë dhe jam i lumtur që presidenti më tregoi se kjo do bëhet dhe do të ndihmojë sa më shpejt të fillojnë negociatat”, tha Borrell.

Ai tha më tej se Kosova i ka përmbushur kushtet për heqjen e vizave, megjithatë nuk dha një datë për këtë.

“Komisioni Evropian konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha konditat për liberalizim të vizave dhe është koha e duhur të përfundohet me kërkesa teknike”, u shpreh Borrell pas takimit me Thaçin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos