Ish-komandanti i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladic humbi betejën ligjore në apel, ku kërkonte të hidhte poshtë dënimin e marrë në vitin 2017 për krime kundër njerëzimit. Gjykata e Kombeve të Bashkuara ruajti të pandryshuar vendimin për dënimin e tij me burgim të përjetshëm për rolin që pati në vrasjen e rreth 8000 myslimanëve boshnjakë në atë që njihet si Masakra e Srebrenicës, e ndodhur në vitin 1995.
Në seancën e tij të apelit në Hagë gushtin e kaluar, prokurorët kërkuan dënimin e tij për një akuzë të mëtejshme gjenocidi. Mlladiç denoncoi gjykatën, duke e quajtur atë një fëmijë të fuqive perëndimore. Avokatët e tij kanë argumentuar se ai ishte shumë larg Srebrenicës kur ndodhi masakra.
Masakra e Srebrenicës, e kryer në një enklavë që supozohej të ishte nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara, ishte mizoria më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Mlladiç, i njohur si "Kasapi i Bosnjës", ishte një nga të dyshuarit e fundit që u përball me gjyqin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë. Ai u arrestua në 2011 pas 16 vitesh në arrati.
Në vitin 2017 ai u shpall fajtor për gjenocid mbi Srebrenicën, por u shpall i pafajshëm për gjenocid gjatë fushatës së ushtrisë së tij në 1992, në të cilën boshnjakët dhe kroatët boshnjakë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ose u arrestuan në kushte të tmerrshme.
Në 2016, e njëjta gjykatë dënoi ish-udhëheqësin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, për planifikimin e masakrës së Srebrenicës, ndër krime të tjera.
Dënimi i tij fillestar 40-vjeçar për gjenocid dhe krime lufte u rrit më vonë në burgim të përjetshëm në 2019. Pjesën tjetër të dënimit ai do ta vuajë në Mbretërinë e Bashkuar. (A2 Televizion)